Policia e Kosovës e ka kthyer mbrapa të hënën eskortën e kryetarit të komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberit, i cili iu ka drejtuar zyrtarisht Policisë së Kosovës që t’iu lejohet të hyjnë në Kosovë transit për përurimin e një rruge në një fshat të thellë të malësisë së Bujanovcit, në kufi me Kosovën.

Zyra e kryetarit të komunës i është drejtuar me një shkresë zyrtare policisë kufitare të Kosovës, përkatësisht shefit të ndërtimit të pikës kufitare te Dheu i Bardhë, duke i njoftuar se të hënën më 12.03.2012 në orën 12 ishte paraparë fillimi i punimeve për asfaltimin e rrugës në fshatin Muhovc, i cili gjendet në territorin e komunës së Bujanovcit (në kufi me Kosovën), ku do të bëhet fillimi i punimeve nga udhëheqësit e komunës.

Kamberi ka kërkuar nga policia që të mundësojë prezantimin e një numri të caktuar të veturave për të shkuar në vendin e ngjarjes, ku përurohej fillimi i ndërtimit të rrugës në këtë zonë malore.

Por, në anën tjetër, koloneli i policisë, Rrahman Sylejmani, kryesues i Departamentit për menaxhimin e integruar të kufirit, i është përgjigjur negativisht kërkesës, duke thënë se edhe përkundër dëshirës për t’iu dalë në ndihmë, policia nuk mund ta bëjë një gjë të tillë që t’i lejojë që një numër të veturave zyrtare të komunës së Bujanovcit të hyjnë në pikën kufitare Dheu i Bardhë pa iu nënshtruar marrjes së policës së sigurimit të obliguar kufitare, ngase siç ka thënë ai, kjo është përgjegjësi e Shoqatës së Sigurimeve Kufitare.

Ai madje i ka rekomanduar kryetarit të komunës së Bujanovcit që me një kërkesë të tillë t’i drejtohen Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës.

Komuna i është drejtuar edhe Shoqatës së Sigurimeve, e cila iu ashtë përgjigjur, duke iu treguar se për këtë veprim të tillë ata duhet të vijnë personalisht në zyrën e shoqatës në Prishtinë për t’ia dorëzuar kërkesën dhe jo siç kanë thënë ata që kërkesa të shkruhet aty për aty (nëpërmes postes elektronike).

Komuna është indinjuar nga përgjegjësja e shoqatës ngase ata e kanë sugjeruar kryetarin që për veturat që duhet të hyjnë të gjejnë një donator për pagesën e policave të sigurimit.

Po ashtu sipas tyre, kërkesa duhet të shqyrtohet në bordin e Shoqatës, pavarësisht se koha e përurimit ka qenë caktuar paraprakisht.

Beqiri: Vendim i pamenduar mirë

Galip Beqiri, kryetar i Këshillimit Kombëtar të Shqiptareve të Luginës, ka thënë se një veprim i tillë i institucioneve të Kosovës ka qenë i pamenduar mirë, pasi që komuna e Bujanovcit me asfaltimin e rrugës ka synuar që të lehtësojë qarkullimin e banorëve të zonave malore të Bujanovcit me Kosovën.

Ai tha se veturat e Komunës është dashur vetëm ta shfrytëzojnë transit territorin e Kosovës për të kaluar në fshatin Muhovc, pasi që sipas tij, rruga kah pjesa e Bujanovcit për të shkuar në këtë fshat për momentin është vështirë e kalueshme me vetura.  (Zëri)

SHPËRNDAJE