Policia e Kosovës i ka dhënë ultimatum protestuesve të Vetëvendosjes që të hapin rrugën për pesë minuta ose përndryshe do ta hapin duke i shpërndarë protestuesit.

Vetëvendosja, nga ana tjetër ka thënë se ata nuk janë ka protestojnë kundër Policisë dhe i ka bërë thirrje që Policia t’i respektoj vendimet e Kuvendit të Kosovës dhe se ata nuk duhet që t’i ndjekin urdhrat e ministrave dhe kryeministrit që po e ngufasin shtetin.

“Ne jemi në mbrojtje të shtetit të Kosovës dhe se Kuvend i Kosovës ka vendosur që të vendoset reciprociteti i plotë kundër Serbisë”, ka thënë lider i Lëvizjes Albin Kurti.

“Mos nga sulmoni, mos na provokoni sepse as ne nuk ju sulmojmë sepse nuk jemi kundër Policisë së Kosovës”, ka thënë ai

Ndryse, reporteri i Express thotë se shihet grumbullimi i madh Policisë para protestuesve.

Ahmeti: Serbia nuk kaloi

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ka thënë se qëllimi i protestës së tyre deri me tani është arritur pasi që asnjë kamion nga Serbia nuk ka kaluar.

”Derisa Serbia nuk kalon dhe asnjë kamion serb nuk kalon nëpër këtë pikë atëherë Serbia nuk ka kalua”, ka thënë Ahmeti.

Ndryshe, reporter i Express ka thënë se gjendja është e qetë dhe se liderët e Vetëvendosjes vazhdimisht bëjnë thirrje që qytetarët me targa të Kosovës të kalojnë lirshëm pa u penguar më të.

Kurti: Reciprociteti u arrit

Lideri i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim para protestuesve ku ka thënë se asnjë polic mos të preket sepse ata arritën qëllimin e tyre, masat e reciprocitetit me Serbinë.

Sipas Kurtit, që nga dita e sotme e protestës asnjë kamion serb nuk është hyrë në Kosovë dh se ky ka qenë qëllimi i tyre.

Ai ka përsëritur disa herë që mos të preket asnjë polic i Kosovës me dorë dhe se protesta të jetë sa më paqësore.

Ndryshe, protestuesit janë duke kënduar këngën “Besa Besë” dhe parulla të ndryshme.

“Serbia e cila i mba 1800 trupa të pa jetë, Serbia e cila nuk ka dhënë as fondet pensionale dhe asgjë tregon më së miri se Serbia dëshiron ta bllokojë sa më shumë shtetin e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë po ashtu se do të lejoj të gjithë automjetet të shqiptarëve nga Kosova që vinë nga shtetet perëndimor mund të kalojnë por jo edhe ato serbe.

Në të njëjtën kohë disa kamionë me prodhime vendore i Kosovës është lejuar nga Vetëvendosje, përderisa edhe automjetet me targa të republikës së Kosovës nuk janë ndaluar pori është lejuar që të kalojnë pa problem.

 

Lëndohet lehtë një polic

Ndërkohë, turma është qetësuar përderisa një polic i Kosovës është lënduar lehtë pasi që një protestues e ka goditur atë me një tullë.

Gjendja është qetësuar pas thirrjeve që janë bërë si nga ana e policisë ashtu edhe nga ana e protestuesve.

Por, protestuesit po insistojnë që t’ju lirohet rruga për të shkuar deri në kufi.

Ndërhyn Policia

Policia e Kosovës ka filluar që të shpërndajmë protestuesit.

Sipas reporterit të Expressit Policia është duke hedhur sprej drejt protestuesve tek udhëkryqi i Podujevës.

Ndërkohë, në Dheun e Bardhë raportohet se gjendja është e qetë.

Kurti dhe Ahmeti, thirrje për protestë paqësore

Protestuesit e Lëvizjes Vetëvendosje janë ndalur tek udhëkryqi i Podujevës.

Reporteri i Express, ka arritur tek udhëkryqi i Podujevës dhe ka thënë se Policia e Kosovës ka bllokuar çdo rrugë që shpie tek pika kufitare Merdare.

Njësia Speciale e Kosovës i ka ndal protestuesit në këtë pikë, përderisa Albin Kurti arritur në këtë pikë bashkë me tre autobusë të tjerë me protestues dhe disa kombi.

Ka një grumbullim të madh të protestuesve përderisa Njësia Speciale të Kosovës ka bllokuar protestuesit.

Dy liderët e Lëvizjes, Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti kanë mbajtur një fjalim ku kanë bërë thirrje edhe njëherë që protesta të jetë paqësore.

Protestuesit nisin të Grumbullohen

Në të dy pikat kufitare Dheu i Bardhë dhe Merdare ka filluar grumbullimi, por reporterët në kufi të Gazetës Express kanë parë protestues të grumbulluar vetëm tek Dheu i Bardhë por jo në Merdare.

Deri me tani nuk janë vërejtur protestues në Merdare, por grumbullim ka vetëm tek Dheu i Bardhë.

Policia është duke bërë kontrollim të rreptë të udhëtarëve, ndërkohë ka prani të madhe të Policisë dhe medieve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare.

Ndërkohë, Kurti prapë pa ka ripërsëritur se protesta do të jetë paqësore.

500 protestues te Dheu i Bardhë

Rreth 500 protestues të Lëvizjes Vetëvendosje janë mbledhur të Dheu i Bardhë përderisa Njësia Speciale e Policisë së Kosovës i ka bllokuara ata 300 metra larg pikës kufitare.

Në rrugë kontrollimin janë duke e bërë Policia e Trafikut, kurse pas tyre janë barrikaduar Njësia Speciale.

Reporteri i Gazetës Express thotë se deri me tani situata është e qetë dhe nuk është shënuar ndonjë incident.

Nga ana tjetër, sipas reporterit të gazetës Express, në Merdare Policia e Kosovës ka vënë dy postblloqe me një largësi pesë kilometërshe njëra me tjetrën dhe nuk po lejon kalimin e asnjë qytetari me përjashtim të gazetarëve dhe KFOR’it.

Policia në një postbllok tjetër afër kufirit po bën kontrollimin e qytetarëve me letërnjoftime.

Nga ana tjetër Albin Kurti në nisjen nga Prishtina ka thënë se protesta do të jetë paqësore.

Kurti ka thënë se prezenca e shtuar e forcave policore nuk do ta zmbrapsë atë dhe lëvizjen nga aksioni i paralajmëruar.

Ai ka përsëritur se nuk do të pengohet lëvizja e lirë e njerëzve dhe se do të bllokohen vetëm mallrat serbe.

 

Vetëvendosje niset drejt kufirit

Lëvizja Vetëvendosjes së bashku me krerët e saj tashmë është rrugës drejt pikave kufitare te Dheu i Bardh dhe Merdare. Lajmin e ka konfirmuar Dardan Mulliqaj nga kjo lëvizje.

Dardan Mulliqaj ka thënë për Info Globin se tashmë anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje së bashku me deputet e kësaj janë nisur për në pikat kufitare te Dheu i Bardh dhe Merdare.

“Ne tanimë jemi rrugës për në pikat kufitare te Dheu i Bardhë dhe në Merdare jemi nisur rreth orës 11:30 min. Tani jemi në dalje të qytetit të Gjilanit” ka konfirmuar Dardan Mulliqaj nga lëvizja Vetëvendosje.

Përndryshe, në doganën e Morinës kanë arritur dy autobus me përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosjes. Raportohet se policia nuk ka lejuar përkrahësit e Vetëvendosjes nga Shqipëria që të kalojnë kufirin.

Blindohen kufijtë

Policia e Kosovës ka dërguar numër të madh të pjesëtarëve të njësive elitë në dy pikat kufitare, Merdare dhe te Dheu i Bardh.

Reporteri i Gazetës Express, i cili ndodhet në Merdare, thotë se rruga deri në kufij është pothuajse e zbraztë, derisa në pikën kufitare vërehen forca të mëdha policore. Sipas tij, njësitë elite janë të pajisura edhe me makineri të rëndë.

Reporteri ynë thotë se aktualisht qytetarë dhe mallra po hyjnë dhe po dalin normalisht, sikurse në çdo ditë të zakonshme pune.

Ndërkohë, Policia është duke bërë edhe kontroll të rreptë të udhëtarëve që hynë në Prishtinë nga qytetet e tjera të Kosovës.

Policia janë duke kontrolluar autobusët ku shikojnë mos ndojnë udhëtar ka ndonjë shenjë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Policia e Kosovës këtë kontroll është duke e bërë për të gjithë udhëtarët që hynë në Prishtinë, duke vënë punkte policore gjatë hyrje daljeve në kryeqytet.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se sot në ora 13:00 do t’í bllokojë dy pikat kufitareem Serbinë, atë të Merdarës dhe Dheu të Bardh.

Krye n’veti

Lëvizja Vetëvendosje sot do të nisë aksionin për bllokimin e pikave kufitare. Albin Kurti tha se aktivistët e tij do të pengojnë në mënyrë paqësore vetëm hyrjen e mallrave nga Serbia. Kundër aksionit doli Presidentja e Kosovës, Ambasada e ShBA’ve, e Britanisë së Madhe, e Francës, e Gjermanisë dhe e Italisë. Sipas tyre, për dhunën eventuale përgjegjëse do të jetë Vetëvendosje.

Një ditë para aksionit të Lëvizjes Vetëvendosje kanë ardhur reagime të shumta kundër bllokimit të pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Kundër nismës së Albin Kurtit kanë dalë Presidentja e Kosovës, vendet e Quinitit, përfaqësuesi i BE’së dhe partitë politike.

Por, edhe të premten, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se aksioni i saj për bllokimin e kufirit te Dheu i Bardhë dhe në Merdarë do të ndodhë.

Megjithëkëtë, në një komunikatë të përbashkët, Ambasada e Francës, e Gjermanisë, e Italisë, e Mbretërisë së Bashkuar dhe e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë kanë thënë se bllokimi i rrugës është veprim antiligjor dhe i keq për imazhin e Prishtinës.

“Ne nxisim Vetëvendosjen që të përmbahet nga çfarëdo dhune ose provokimi ndaj personelit të Policisë së Kosovës. Veprimet e tilla jo vetëm që do të jenë joligjore, por po ashtu do të rritnin tensionet politike në Kosovë dhe do të ndikonin negativisht në imazhin e Kosovës jashtë vendit”, thuhet në reagimin e Quintit.

Këto ambasada e kanë drejtuar gishtin kah Vetëvendosje për çfarëdo që do të ndodhë më 14 janar, derisa kanë paralajmëruar se edhe KFOR’i dhe EULEX’i do të jenë në krye të detyrës.

“Ne jemi të bindur që Policia e Kosovës, e mbështetur nga EULEX-i dhe KFOR-i në rolet e tyre përkatëse, do të tregojë përmbajtje dhe profesionalizëm në sjelljen e tyre ndaj çfarëdo provokimeve, por në fund Vetëvendosje do të jetë përgjegjëse për pasojat e veprimeve të saj të planifikuara”, thuhet në këtë deklaratë.

Ambasadat e akredituara në Prishtinë ka thënë se asnjë parti politike nuk mund ta marrë zbatimin e ligjit në duart e veta, derisa kanë theksuar se bllokimi i rrugëve dhe i mallrave nuk është parim demokratik dhe nuk i shërben sundimit të ligjit.

“Kosovarët nuk duhet ta lejojnë asnjë parti politike që ta sabotojë këtë proces”.

Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka dalë kundër bllokimin të rrugëve dhe ka thënë se Vetëvendosje nuk i ka shterë të gjitha mundësitë e veprimit brenda institucioneve.

Thërras të gjithë qytetarët të mos bllokojnë rrugët, të mos bllokojnë vendkalimet kufitare të Republikës së Kosovës me shtetet e tjera dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave”, thuhet në deklaratën e Jahjagës.

Presidentja ka treguar se për çka ka nevojë Kosova.

“Vendi ynë ka nevojë për hapje të kufijve, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe bilaterale me të gjitha shtetet dhe për anëtarësim të plotë në të gjitha strukturat, organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë”.

Edhe Përfaqësuesi Special të Bashkimit Europian në Kosovë, Fernando Gentilini ka thënë se aksioni i paralajmëruar i Vetëvendosjes është i padobishëm për të ardhmen e Kosovës në BE.

“U bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen nga veprimet që kanë për qëllim pengimin e ndonjë prej këtyre lirive, për arsye se veprime të tilla do të përfaqësojnë vetëm kthim prapa në agjendën evropiane”, thuhet në deklaratën e Gentilinit.

Pavarësisht deklaratave kundër aksionit, udhëheqësit e Vetëvendosjes kanë mobilizuar 200 persona për t`u kujdesur në dy vendkalimet kufitare me Serbinë që protesta të mos eskalojë.

Në një konferencë për media, Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se aksioni i Lëvizjes nuk do të bllokojë qarkullimin e lirë të qytetarëve, por do ta bllokojë hyrjen e mallrave nga Serbia në Kosovë.

Kurti u është përgjigjur akuzave të Kryeministrit se Vetëvendosja do të fundoset, duke thënë se Qeveria e Kosovës është rebeluar ndaj vendimeve demokratike.

“Konsiderojmë që Qeveria e Kosovës është rebeluar. Ajo është rebeluar kundër vendimit demokratik të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Qeveria nuk po e respekton rendin institucional. Qeveria thjesht po promovon anarki duke përzgjedhur në mënyrë arbitrare se cilat vendime, qëndrime e ligje të Kuvendit do t’i zbatojë e cilat jo”, ka deklaruar Kurti.

Ndryshe, Vetëvendosje dhe Policia e Kosovës nuk janë pajtuar për bllokimin e rrugëve për lëvizjen e mallrave. Por, Albin Kurti thotë se të shtunën Serbia do të ndalet në Kosovë.

“Protesta jonë paqësore është e drejtuar kundër Serbisë, e cila prej Kushtetutës së saj, ku shkruan që Kosova është pjesë e Serbisë e deri te deklarata e qëndrimi dhe sjellja e nëpunësit apo zyrtarit me të ulët shtetëror ka qëndrime kundër pavarësisë së Kosovës dhe plane anti-shqiptare”, tha Kurti.

Pas Pack, edhe Lunacek kundër

Deputetja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek ka thënë se aksioni i planifikuar i Vetëvendosjes e dëmton imazhin dhe rrugën e Kosovës drejt BE’së.

“Vërtet do të kërkoja nga Vetëvendosje që ta anulojë këtë aksion. Kjo nuk na ndihmon aspak neve në Bashkimin Evropian që e duam Kosovën më afër BE’së dhe Serbinë me marrëdhënie të mira me shtetin e Kosovës. Ky aksion nuk na ndihmon aspak drejt këtij qëllimi”, ka thënë Lunacek për R. Dukagjini.

Lunacek është eurodeputetja e dytë e cila bën thirrje që ky aksion të mos zhvillohet. Para pak ditësh edhe eurodeputetja Doris Pack aksionin e paralajmëruar “Serbia nuk kalon” e ka quajtur çmenduri.

AAK, kundër aksionit

Partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë kundër aksionit të Vetëvendosjes, duke thënë se veprime të tilla nuk po bëhen për zgjidhjen e problemeve të Kosovës.

“Cenimi i lirisë së qarkullimit, bllokimi i rrugëve, mbyllja e vendkalimeve kufitare, tensionimi i mëtejmë i situatës politike në vend, synimi për të marrë ligjin në dorë, zhvendosja e përqendrimit të qytetarëve të Kosovës dhe e politikës kosovare në një të vetmen ngjarje çfarë është kjo e ditës së nesërme janë vetëm disa prej pasojave të këtij veprimi të Lëvizjes “Vetëvendosje””, thuhet në deklaratën e AAK’së.

Sipas AAK’së, në mënyrë të panevojshme është bëtë lajm aksioni i Vetëvendosjes në vend se të flitej për se çfarë po ndodh në veri të Kosovës, pse po dështon Qeveria e Kosovës në thuaja të gjitha segmentet e qeverisjes së vendit, pse po rritet pakënaqësia sociale.

Politikë me UÇK’në

Aksioni i Lëvizjes Vetëvendosje po shërben edhe për të treguar se kush ka qenë më patriot para dhjetë vitesh, në kohën kur është zhvilluar lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Polemikën e ka nisur Hashim Thaçi dhe e ka vazhduar Rexhep Selimi.

Kryeministri Thaçi, duke folur në mbledhjen e Qeverisë, të mërkurën, ka thënë se dikujt i ka mbetur merak që kur ka qenë koha për të luftuar Serbinë, s’ka guxuar as ta veshë uniformën e UÇK’së.

Por, Rexhep Selimi ka thënë se Thaçi e ka humbur ekuilibrin e kujtesës “pasi shumicën e kohës së luftës ka qenë jashtë Kosove”.

“Kryeministri i Kosovës duket se e ka humbur ekuilibrin e kujtesës ose ekuilibrin psikik nganjëherë me deklarata të tilla. Përgjigjja më e mirë do të ishte kujtojeni 28 Nëntorin 1997, kujtojeni luftën në përgjithësi dhe është përgjigjja më e saktë. Unë nuk mund të them së zotëri Thaçi tani ka të drejtë t’ia mohojë apo t’ia lejojë se kush ka qenë dhe kush është dashtë për të qenë në luftë”, ka thënë Selimi. (Express)

SHPËRNDAJE