“Nën panikun e dështimit të fushatës që çdo ditë po i bie tavani, kryetari i PS-së Edi Rama, vazhdon si rrugë të vetme politikën e përbaltjes përmes shpifjes ndaj kundërshtarit”, kështu u shpreh sot përfaqësuesi i selisë blu, Gerti Bogdani gjatë një konference për shtyp, duke aluduar me shprehjen e kryeopozitarit Rama, se kryeministri i vendit po përdor mjete fluturuese në fushatën e tij.

“Me sa duket, zotit Rama, ngaqë zvarritet vetë, i duket sikur të tjerët fluturojnë. Partia Demokratike ju informon se Kryetari i saj dhe njëkohësisht Kryeministri i vendit, në asnjë rast apo rrethanë nuk ka përdorur helikopterë privatë apo shtetërorë që nga hapja e fushatës”, tha Bogdani.

Duke shtuar se padyshim, arsyeja e kësaj akuze të pavërtetë qëndron në axhendën intensive të takimeve entuziaste të Kryeministrit dhe kryetarit të PD-së, Berisha, pas së cilës nuk qëndrojnë as helikopterë, as qilimë fluturues, por frymëzimi nga qytetarët dhe pritja e tyre, pasioni elektoral, energjitë dhe disiplina e hekurt e kryetarit të Partisë Demokratike, që po konturojnë një fitore të bukur e të thellë më 8 maj në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë të të gjithë kandidatëve të “Aleancës për Qytetarin”.

SHPËRNDAJE