Qeveria e Serbisë ka emëruar Dejan Paviçeviq si shef të ri të ekipit negociator në bisedime me Kosovën. Ai do ta zëvendësoj Borisllav Stefanoviqin, i cili ishte shef i ekipit negociator të Serbisë, në bisedime, që filluan në mars të vitit të kaluar.

Raportohet se Paviçeviq kishte marrë pjesë në bisedime në nivelin teknik dhe administrativ.

Ai deklaroi se “prioritet i tij do të jetë implementimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura” ndërmjet Beogradit e Prishtinës.

Duke u shprehur për bisedimet e ardhshme ndërmjet dy palëve, ai ka theksuar se as brenda Bashkimit Evropian nuk ka fotografi të saktë për vazhdimin e dialogut dhe shtoi se situata do të jetë më e qartë pas takimit të presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kethrin Eshton, që është paralajmëruar gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Paviçeviq i ka hedhur poshtë kritikat e Kosovës se Serbia nuk po i implementon marrëveshjet, duke thënë se pjesa e madhe e implementimit është kryer ose është në fazën përfundimtare./ Expressi.Pr.

SHPËRNDAJE