“Një çikë qetësi, bekimin e Zotit dhe shëndet”, këto janë sipas vëllait të Papës, Georg Ratzinger, dëshirat e Benediktit XVI për ditëlindjen e tij. Por qetësi Papa me siguri nuk do të ketë në 85 vjetorin e tij. Miq nga e gjithë bota vijnë pas njëri-tjetrit në Vatikan. Program i ngarkuar, por që nuk përbën problem për Papën, që gëzon shëndet të mirë, përsërit shpesh zëdhënësi i tij, Federico Lombardi.

Joseph Aloisius Ratzinger, emri i vërtetë i Papës Benedikt XVI, u lind me 16 prill 1927 në jug të Gjermanisë, në Marktl mbi Inn të Bavarisë. Ai u rrit në një familje shumë besimtare. Pas shugurimit prift dhe një doktorate në teologji, ai dha fillimisht mësim si profesor në universitet e Bonit, Mynsterit, Tybingenit dhe Regensburgut. Shpejt ngjiti shkallët e hierarkisë kishtare. Në vitin 1977 u bë kryepeshkop i Mynihut dhe Freisingut. Në vitin 1981 Papa Gjon Pali II e emëroi atë prefekt të kongregacionit në Vatikan, një pozicion me përgjegjësi. Detyra e tij ishte të kontrollonte doktrinën zyrtare të kishës.

Vizionet e tij: ekumenizmi dhe dialogu

Që pikërisht Joseph Ratzinger, që duket pak i tërhequr, u zgjodh papë pas karizmatikut Karol Vojtila, dhe me një votim jashtëzakonisht të shpejtë, qe për shumëkënd e papritur. Një “Papë kalimtar”, u tha atëherë. Por Papa entusiazmoi edhe kritikët e betuar të Ratzinger-it. “Ne jemi Papa”, titullohej gazeta më e madhe bulevardeske gjermane. Por çfarë ka mbetur pas shtatë vjetësh në detyrë nga euforia fillestare?
Benedikti XVI erdhi në detyrë me shumë vizione. Në lëvizjen ekumenike dhe në raport me fetë e tjera botërore donte të nxiste dialogun. Përsa i përket ekumenizmit, Papa i sapozgjedhur nuk donte të mbetej vetëm te “ndjenjat e sinqerta”. Ata duhej të ndiqeshin nga “gjeste konkrete”, siç tha ai në fjalimin e tij e parë në latinisht.
Si Papë nga vendlindja e teologut reformator gjerman Martin Luter ai donte t’i jepte fund periudhës së akullt të ekumenizmit. Kjo zgjoi shpresat për një kungim në një meshë të përbashkët për shembull. Por shpresat u zhgënjyen disa herë e së fundi në vizitën e Benedikt-it në Gjermani në vitin 2011. Në Erfurt, qytetin ku veproi Luteri, ai bëri të qartë se nuk është i gatshëm t’u shpërndajë dhurata ekumenike të ftuarve. Nga ana tjetër Papa arriti përparime në bisedimet me kishat lindore. Ai rinisi dialogun katoliko-ortodoks në vjeshtë të vitit 2006 dhe u takua me Patriarkun ekumenik Bartolomeu I në Stamboll, një takim historik.

Afrim: Por jo me të gjithë

Por çdo vale simpatie ndaj Papës gjerman ndiqej nga një rënie. Sapo ishin qetësuar gjërat pas fjalimit në Regensburg, në të cilin Benedikti e lidhi Islamin me dhunën, ndodhën turbullira të tjera.
Papa u përpoq të afrohej, të vendoste ura lidhëse me vëllazërinë e Piut, ultra-konservatore, të shkëputur nga kisha. Por pas tij ishin në rrezik të shkërmoqeshin urat, që e lidhnin me judaizmin dhe bazën katolike. Futja e një formë të re të lutjes së të Premtes së Madhe, në të cilën të krishterët të mund të luten përsëri për ndriçimin e hebrenjve, një provë e vështirë. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, në vitin 2009 Benedikti shfuqizoi përjashtimin nga kisha të katër peshkopëve të shuguruar në mënyrë të paligjshme, ndër ta edhe të mohuesit të holokaustit, Richard Williamson. Stuhia e protestës, që shpërtheu atëherë kundër Papës sidomos nga Gjermania, tregoi hendekun, që ishte hapur në mes tij dhe bazës.

Kriza më e rëndë: Skandali i abuzimeve seksuale

Por kriza më serioze erdhi në vitin 2010, kur Gjermaninë e përfshiu vala e zbulimit të skandaleve të abuzimeve në institucionet katolike, pas Shteteve të Bashkuara dhe Irlandës. Ndërsa abuzimi me fëmijët nga priftërinjtë indinjoi gjithë Gjermaninë, Benedikti u vonua shumë me pranimin e fajit të kishës. Pikërisht ai, që në këto çështje kishte predikuar gjithmonë tolerancë zero, dëshmoi tani menaxhim katastrofal të situatës. Ai u përpoq të zvogëlojë turpin e kishës së tij, me takimin me viktimat e abuzimit dhe me një lutje për falje. Për shumëkënd burri i moshuar prapa mureve të Vatikanit është vetëm një konservator i larguar nga bota, por gjatë udhëtimeve të tij Benedikti i ka entusiazmuar vazhdimisht njerëzit. Ai është një yll i mediave kundër vullnetit të tij. Në shumicën e vizitave jashtë ai ka lënë politikisht përshtypje të mirë, madje edhe në Anglinë kritike ndaj Papës. Në udhëtimin e tij të fundit në Amerikën Latine ai pushtoi gjithashtu zemrat e njerëzve, me sa duket edhe të Fidel Kastros dhe vëllait të tij Raul. Sepse e premtja e madhe do të jetë në të ardhmen edhe në Kubën socialiste ditë feste.

Motoja e tij: Tradita në vend të reformave

Papa Jozef Ratzinger donte ta bënte kishën të qëndrueshme për të ardhmen dhe tërheqëse, t’i japë asaj orientim në një botë pluraliste. Detyrë jo e lehtë për dikë, që dëshiron t’i kundërvejë “përshtatjes me të gjitha rrymat e mundshme të kohës”, “forcën e besimit”.
Ruajtja e traditave në vend të reformave, kjo është motoja e tij. Në Gjermani shumë të krishterë janë larguar për këtë arsye nga kisha. Për çështje, që preokupojnë komunitetet, si për shembull çfarë do të ndodhë me celibatin, apo nëse të divorcuarit do të mund të martohen një herë të dytë në kishë, nuk vjen përgjigje nga Roma. Një gjë është e sigurtë se Joseph Ratzinger nuk është një “Papë kalimtar”, që drejton kishën. Kryebariu i Romës e di, si i jepet profil kishës katolike, pavarësisht nëse kjo i përshtatet deleve të tij, apo jo.DW

SHPËRNDAJE