Në Tiranë ka nisur mbërritja e liderëve nga Evropa juglindore në samitin për Ukrainën, që po organizohet me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Pritja e liderëve po bëhet nga Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Në samit tashmë ka arritur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila u mirëprit nga Rama e Zelensky.

Ajo, në hyrje të samitit, para mediave ka thënë se është aty për ta mbështetur ushtrinë dhe popullin ukrainas.

Osmani theksoi se në samit do të flasë për hapat konkretë që Kosova po i merr në këtë drejtim së bashku me aleatë dhe partnerë të tjerë.

“Do të jemi këtu deri në fitoren e Ukrainës”, u shpreh ajo.

Se a do ta kërkojë njohjen e Kosovës nga Ukraina, Osmani thotë se një kërkesë e tillë është bërë gjithmonë, teksa shprehet e bindur se ai moment do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës.

“Këto janë çështje bilaterale, gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me mirëkuptimin e plotë që Ukraina është në gjendje të jashtëzakonshme, në gjendje lufte, duke luftuar për lirinë e saj, për pavarësinë e saj dhe vlerat që janë të rëndësishme. Ai moment jam e bindur se do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës”, tha ajo.

SHPËRNDAJE