SHKRUAN: Driton TALI

Nuk bën të habitemi pse Nikolici e Daciqi në kohën e fundit sillen me xhentilitet ndaj udhëheqësve perëndimorë, apo pse japin deklarata si “Beogradi do t’i respektojë të gjitha marrëveshjet e arritura me Prishtinën”. S’ka dyshim se edhe më tutje këta janë ata “delitë” e mëparshëm të cilët ishin ndër më meritorët në “eliminimin e armiqve të Serbisë, si atyre të jashtëm po ashtu edhe atyre të brendshëm”.

Nuk mund të ketë ndryshuar aq shpejt Nikolici, i cili “deri dje” ishte në gjendje që “përpara ta jepte kokën sesa Kosovën t’ua linte sh(š)iptarëve të zhugavtë”; i cili publikisht zotohej para elektoratit të vet se “kurrë nuk do të pushonte derisa Kosova dhe Metohia nuk do të kthehen nën kontrollin e Serbisë”; apo, të ketë ndryshuar aq shpejt Ivica Daçiqi (Slloba i vogël), zëdhënësi i luftës, i cili edhe më tutje Miosevicin e ka inspirim.

Të gjitha analizat e njohësve të situatës në Serbi tregojnë se nëse nuk bëhet diçka së shpejti në periudhën afatshkurtër, Serbia mund të bankrotojë financiarisht. Në këtë kontekst, “Financial Times”, para disa ditësh (në prag të takimit mes delegacionit serb dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar) botoi një artikull me titull “Serbia dëshiron të flasë për para, derisa FMN dëshiron të flasë për politikë”. Në atë artikull shpjegohej situata shumë e vështirë financiare e shtetit serb, i cili nëse shpejt nuk merr injeksion monetar nga FMN, ka rrezik për falimentim buxhetor. Duhet cekur faktin se një nga premtimet kryesore të këtij koalicioni qeverisës ishte ringjallja ekonomike e Serbisë dhe ulja e papunësisë, e cila aktualisht është rreth 25 për qind.

Pra, me fjalë tjera, Serbia ka nevojë shumë të madhe për ndihmën perëndimore, andaj edhe sjelljet e udhëheqësve (delive) serbë në kohën e fundit janë xhentile. Por deri kur, është ende e paqartë. Sepse është e paqartë se çfarë konkretisht ka premtuar Putini në takimin e majit, që e patën në Moskë me Nikolicin.

Atëherë u bë publike shumë pak nga ai takim. U tha se Putini i kishte premtuar Nikolicit se do ta vizitojë Serbinë menjëherë pasi Nikolici të akomodojë pushtetin e tij, premtim të cilin do ta mbajë më 11 shtator. Por, nuk u bë publike asgjë konkrete nga takimi, pos të disa deklaratave “patriotike sllave” dhe disa falënderime të ndërsjella mes “vëllezërve shpirtërorë”, në stilin “Serbia i falënderohet Rusisë për kontributin e saj të dhënë në ruajtjen e sovranitetit të Serbisë në Kosovë”.

Andaj, shtrohet pyetja se nëse këtë të martë (11 shtator) Nikolici merr zotime nga Putini, për ndihmë financiare për ta tejkaluar krizën financiare, liderët serbë a do t’i ndryshojnë sjelljet e tyre xhentile karshi institucioneve eurloatlantike dhe se sa do ta radikalizojnë qasjen e tyre ndaj Kosovës?

Nuk është asgjë e befasueshme nga ata, jo vetëm duke i pasur të qarta qëndrimet e tyre raciste ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi (fakti se në udhëheqjen e ushtrisë dhe policisë janë emëruar shqiptarofobët si Momir Stojanovic dhe Milovan Drecun, e forcon edhe më shumë këtë bindje), por edhe nga fakti se ata shpeshherë i kanë ndërruar fjalët sipas rrethanave.

Si bie fjala, Nikolici kur u nominua president, në maj të këtij viti, ditores “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i deklaroi se “Vukovari është qytet serb dhe se kroatët s’kanë çka lypin aty”. Por, kur reagoi lideri kroat Josipovic, ai të nesërmen i ndërroi fjalët duke e akuzuar median gjermane “për atë rrenë të pabesë”. Për çka e shtyri gazetarin Michael Martens, që ta publikojë audo-incizimin origjinal, ku dëgjohej qartazi Nikolici duke e thënë një gjë të tillë.

Ngjashëm pati bërë edhe lidhur me kërkesën e tij që “Serbia, Bjellorusia dhe Rusia të bashkohen për të krijuar supershtetin, sepse së bashku ata do të mund t’i rezistojnë hegjemonisë së SHBA-ve dhe BE-së”, sikurse që disa herë i ndërroi qëndrimet e tij për “Serbinë e madhe”. Bile njëherë, kur gazetarët e pyetën se pse ai po iu “bie pishman” aq shpesh qëndrimeve të tij, pse aq shpesh “po i ha llafet”, Nikolici përgjigjet se “ vetëm të marrët nuk e ndërrojnë mendimin, vetëm budallenjtë nuk i hanë llafet e tyre”.

SHPËRNDAJE