Duke filluar nga edicioni i ri 2023/24 në futbollin kosovar do t’i nisë garat edhe Liga U21.

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, në mbledhjen e fundit, ka marrë vendim për organizimin e kësaj lige, kurse pjesë e saj do të jenë ekipet e Superligës.

“Qëllimi i kësaj lige është që futbollistëve të kësaj moshe, të cilat po hasin vështirësi të gjejnë hapësirë në ekipin e parë, t’u jepet mundësia të qëndrojnë në formë, të zhvillohen dhe t’i tregojnë vlerat e tyre në vazhdimësi, në mënyrë që të përgatiten për të qenë pjesë e ekipit të parë. Përvoja e hershme profesionale është çelësi për të pasur sukses në futboll, prandaj edhe ekzistimi i Ligës U21 do të jetë i mirëseardhur për futbollistët nën moshën 21-vjeç, ngase përqindja e minutave të luajtura nga ana e tyre në Albi Mall Superligë është kryesisht e vogël”, thuhet mes tjerash në njoftimin e FFK-së.

FFK gjithashtu bëri të ditur se do t’ua mundësojë ekipeve që në këtë ligë të përfshijnë edhe dy futbollistë deri në moshën U23, të cilët për shkaqe të ndryshme (si rukuperimi nga lëndimet apo rënia e formës) qëndrojnë larg skuadrës së parë. Ndërkaq, të drejtë loje do të kenë edhe lojtarët më të rinj se sa U21, nëse një gjë të tillë e shohin të arsyeshme klubet.

Liga U21 u tha se është obligative për të gjitha klubet e Superligës dhe si e tillë do të nisë së zbatuari nga edicioni i ri. Prandaj, FFK u kërkoi klubeve që sa më herët të fillojnë përgatitjet për organizimin e ekipeve U21, ngase krijimi i kësaj lige edhe sipas ekspertëve të fushës vlerësohet shumë i rëndësishëm për progresin e mëtutjeshëm të cilësisë së Superligës dhe futbollit tonë në përgjithësi.

SHPËRNDAJE