1e9ca852-6837-4853-b496-a25137c9b1a3Nga Lendita Idrizi  -Nesër (e Premte, 12 shkurt), në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të jepet komedia “Lufta në kohën e dashurisë”, produksion i Qendrës Multimedia nga Prishtina.

Regjinë e shfaqjes e ka bërë Blerta Neziraj, kurse luajn: Aurita Agushi, Shengyl Ismaili, Shkelzen Veseli, Albulena Kryeziu e Molikë Maxhuni.

“Lufta në kohën e dashurisë” ka pasur dhjetra repriza të suksseshme në Kosovë, Maqedoni, Serbi, Shqipëri e Itali. Në këtë komedi, katër gra të çuditshme të Kosovës rrëfejnë intimitetet, pasionet, marrëzitë, sekretet dhe dëshirat e tyre. Ato kanë krijuar një botë të përbashkët imagjinare, ku loja e argëtimi bëhen streha e tyre për të mbijetuar.

28 skenat e shfaqjes fluturojnë para publikut, si në përrallat me magjistarë, duke shpalosur me humor, stereotipe e klishe sentimentale, tregime e muhabete grash: për dashurinë, frikën, hakmarrjen, e të shkuarën e trishtë.

Sado që gjithcka mund të tingëllojë ‘hot’, ju bëjmë me dije se, asnjëra nga aktoret nuk zhveshet nudo në skenë. Jeni të dëshpëruar? Epo, ta hajë dreqi, në çdo të dytën shfaqje në Evropë sot sheh nga një aktor apo aktore tek zhvishet në skenë. Por jo, jo në këtë shfaqje. Më së shumti çka do të shihni janë këllqet, shuplakat e duarve, qafat dhe fytyrat e qeshura të këtyre katër aktoreve të mrekullueshme, kaq. E, të mos harrojmë. Në shfaqje ka edhe një aktor mashkull (por mos u shqetësoni, nuk është aspak i dhunshëm).

Regjisorja e re, Blerta Neziraj, mbas tri shfaqjeve të suksesshme ndërkombëtare, sjellë sërish para publikut një shfaqje provokative, me këngë e vallëzim të mrekullueshëm, ku 5 aktorë të rinjë të shkathët rrëfejnë, pa pardon, histori të vogla, komike e tragjike, por para së gjithash, histori grash në sallon bukurie (e ç’lidhje ka që këto histori janë shkruar nga një autor mashkull!!).

Koreografinë e shfaqjes e ka bërë Adrienne Hart, muzikën: Gabriele Marangoni, kurse skenografia e kostumet vijnë nga Igor Vasiljev e Isidora Spasic. Menaxhere skenës është: Lendita Idrizi, ass. e produksionit: Elisabeth Ëiegne, udhëheqës teknik: Denis Berisha, kurse dritat jan punuar nga Mursel Bekteshi dhe Skender Latifi.

***

“Këto katër gra bëjnë depilim dhe forma të tjera të torturës kozmetike derisa llafosin rreth dashurisë në jetët e tyre. Metafora e sallonit të bukurisë, shtesë e kësaj bote të shtirjes, ku zbukurimi shpeshherë ka të bëjë me fshehjen – ndaj vetes dhe tjetrit –përdoret për ta bërë këtë të botë post-luftës të mundshme dhe të jetueshme. Dhe prapa një titulli mjaft provokativ – gjë që përmban në vete njëlloj oksimoroni (kundërshtie)

– që shndërron, thënë kushtimisht, përbërësit e një kokteji eksplodues, në fjalë të tjera drama reflekton me humor dhe me imagjinatë shkëputjen e ish-Jugosllavisë.. (Gilles Boulan, Le Billet des Auteurs de Théâtre, Paris)

SHPËRNDAJE