pewciiiiShkruan: Ing. Nazmi PECI

 

Kaluan gjashtëmbëdhjetë vjet nga çlirimi i Kosovës dhe fillimi i ndërtimit të shtetit demokratik, Republikës së Kosovës, por perspektiva ende nuk duket në horizont. Për shkak të vuajtjeve dhe përjetimeve të popullit të Kosovës nën pushtimin serb dhe nën sistemin monist komunist, që për shqiptarët ishte tipik i aparteidit, shumëkush ka menduar se do të duhej të ishte Kosova një shembull i mirë, për shtetet dhe popujt e tjerë, por për fat të keq po ndodh e kundërta. Në vend të shtetit ligjor në Kosovë u instalua antiligji e korrupsioni, në vend të demokracisë u instalua autokracia e individëve dhe grupeve të ndryshme mafioze të cilat në emër të luftës dhe „meritave” për të, gllabëruan e vazhdojnë të gllabërojnë, plaçkitën dhe vazhdojnë të plaçkitin gjerë në pakufi, pronën dhe të mirat, edhe ashtu të pakta materiale që posedonte e posedon Kosova, si dhe u sillen e po sillen sikur të ishin pronar prej kohësh në çifligun e quajtur Kosovë, siç po veprojnë pushtuesit e saj të rinj, të cilët janë oligarkët e politikës shqiptare.

Zanafilla e krijimit të këtyre grupeve mafioze daton qysh herët, para luftës e posaçërisht gjatë luftës në Kosovë, me ç’rast, sipas edhe dëshmive të fundit, pati edhe mënjanim dhe luftim të hapur në mes grupeve të ndryshme rivale, pikërisht për shkakun se kush do të zotëroj më shumë territor dhe kapital, apo më mirë me thënë se kush do të jetë bosi i ri i Kosovës, bile bile lirishtë mund të thuhet se po të mos ishte LDK-ja si lëvizje gjithë popullore dhe politika e urtë e Dr. Rugovës, nuk do të dihej se ku do të përfundonin ato rivalitete me përmasa shkatërruese.

Për themelimin e këtyre grupeve ndihmesë dhe „meritë“ të pa kontestueshme kanë mërgimtarët kosovar me punë të përkohshme në perëndim, të cilëve gatishmërinë e tyre për të ndihmuar materialisht popullin e vet në vendlindje, këto grupe ua keqpërdoren. Ata grumbulluan shuma të mëdha parash të cilat në mënyrë të pakontrolluar ua dorëzuan grupeve dhe individëve mafioz e të cilët në emër të luftës në Kosovë i përvetësuan për vete dhe grupet e tyre. I tillë ishte edhe Fondi “Vendlindja Thërret”, kontot e ndryshme të LPK-së, me adresë e pa adresë, si dhe Fondi i Qeverisë së Kosovës në ekzil i njohur si “Fondi i 3%”.

Fondi “Vendlindja Thërret” dhe kontot e LPK-së, me dhe pa adresë, në të cilat nuk u derdhën vetëm mjetet e anëtarësisë por edhe ndihmat e ndryshme për Kosovën. Madje sa herë që burgosej apo vritej ndokush në Kosovë, nëpër shtetet Perëndimore, në emër të luftës dhe rezistencës në Kosovë, mbusheshin paketat me franga zvicerane dhe me marka gjermane, e deviza të tjera, për të cilat kurrë dhe asnjëherë nuk u dha asnjë arsyetim se ku dhe për çka u përdoren. Bile gjatë luftës në Kosovë nga këto grupe nëpër Shtetet e Perëndimit u formuan ekipe tagrambledhësish të dhunshëm te cilit në emër të luftës, në mënyrë perfide merrnin para nga mërgimtarët, shpesh herë ka ndodhur edhe me kërcënime të ndryshme, duke iu lëshuar si dëshmi një dëftesë (Quitung), të thjeshtë, (pa vulë e nënshkrim, si dhe pa adresë dhe destinim), kjo gjithmonë me arsyetimin se për shkak të natyrës dhe situatës duhet konspiracion i plot.

Ku dhe në xhepat e kujt kanë përfunduar këto mjete, nuk u dha ndonjë arsyetim i besueshëm, por dihet se ata që patën qasje në këto fonde, sot janë milioner – njerëzit më të pasur të Kosovës.

Për fat të keq, gjerë më sot nuk u iniciua dhe nuk ka as sinjale të tilla, se nga organet e drejtësisë, prokuroria apo organet e ndjekjes së Kosovës, ka ndonjë nismë për hulumtimin dhe verifikimin e pasurisë të këtyre njerëzve, të cilët për krye nate u bënë milioner dhe se këta miliona të vjedhur Kosovën dhe zhvillimin e ekzistimin e saj si shtet të pavarur po e ngulfatin çdo ditë e më shumë.

 

Kapitull i veçantë i krejt kësaj është buxheti i Kosovës në formën e Fondit të 3%.

Ky fond u themelua si vazhdimësi e Fondit Humanitar Gjithëkombëtar, kurse vetë fjala Gjithëkombëtar nënkuptonte se në këtë fond kontributin e vetë e kanë dhënë pothuajse të gjithë bashkëkombësit tanë, të cilët në atë kohë punonin në perëndim. Destinimi i mjeteve të grumbulluara në këtë fond sipas rregullores dhe statutit për themelimin e tij, do të shërbenin vetëm për financimin e rezistencës në Kosovë, gjerë sa të formohej Qeveria e Kosovës të cilës do t’i dorëzoheshin mjetet e grumbulluara në Fondin Humanitar Gjithëkombëtar të cilin e menaxhonin Degët e LDK-së në Perëndim. Por me tu formuar Qeveria e Kosovës në ekzil, mjetet e grumbulluara në llogarinë bankare në Volksbank të Kantonit Aargau, Dega e LDK-së në Zvicër (rreth 10 milion CHF), diku kah fundi i viti 1991, ia dorëzoi Kryeministrit zotëri B. Bukoshi dhe Ministrit të atëhershëm të financave në qeverinë e Bukoshit zotëri Isa Mustafa, tani Kryeministër i Kosovës, kurse i pranishëm ishte edhe Ramush Tahiri, zëvendëskryeministër.

Gjersa ne po drekonim në hotel Aargauerhof në Aarau, Bujar Bukoshi me Ramush Tahirin ishin mysafir në zyrat e LPK-së në Biel, me ç’rast përfaqësuesit e LPK-së i premtojnë Bukoshit edhe 2 milion CHF, të cilat nuk i patën dorëzuar me kohë në Fondin Humanitar Gjithëkombëtar, me arsyetim se i kishin materializuar duke blerë armatim për Kosovë? Ndërsa ma vonë doli në shesh se e gjitha kishte qenë një gënjeshtër e kulluar.

Pas një kohe të shkurtër qeveria e Republikës së Kosovës në ekzil nxjerr dekretin qeveritar për grumbullimin e mjeteve materiale për buxhetin e Kosovës, edhe atë në formën e 3%, nga neto të ardhurat e të gjithë shtetasve të Kosovës të punësuar nëpër shtetet e perëndimit. Këto mjete paguheshin nëpër llogaritë bankare të hapura posaçërisht për këtë qëllim e që kontrolloheshin vetëm nga Qeveria e Kosovës.

Me kalimin e kohës, dhe siç thuhej për qellim të rritjes së efikasitetit në grumbullimin e mjeteve për shtetin e Kosovës, Qeveria në ekzil, me dekret qeveritar i emëron përgjegjësit e komisioneve qeveritare për grumbullimin e mjeteve nëpër shtetet përkatëse. Hyrjet dhe daljet në këto konto ishin transparente dhe mund të kontrolloheshin në çdo kohë, kuptohet nëse për këtë lejonte Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa. Megjithatë kjo mund të verifikohet edhe sot e kësaj dite, pasi bankat në perëndim, me një kërkesë zyrtare mund t’i ofrojnë këto të dhëna.

Kjo formë e grumbullimit të mjeteve vazhdoi gjerë në shpërthimin e Luftës në Drenicë, me ç’rast nga ana e qeverisë u shpall aksioni “NDIHMË DRENICËS”, por për shkak të „frikës“ së bllokimit të mjeteve nga bankat e shteteve ku ishin të hapura llogaritë rrjedhëse, aksioni u zhvillua ngjashëm siç vepronte LPK-ja me grumbullimin e mjeteve, por vetëm se këtu donatorëve iu lëshohej një kupon ku shkruhej: “Hua popullore në vlerë prej 1000 CHF, ndërsa në Gjermani ishin Marka gjermane. Shuma prej 1000 CHF ishte obligim për çdo të punësuar dhe këto mjete në mënyrë klandestine (të fshehtë) janë dërguar dhe janë dorëzuar në Dardania Bankë në Tiranë. Por sa mjete janë grumbulluar, saktësisht për të “ndihmuar Drenicën”, dhe sa mjete janë dorëzuar në Dardania Bankë, nuk dihet? Siguri ujar Bukoshi dhe Isa Mustafa, këtë gjë duhet ta dinë.

Nëse janë ndihmuar apo nuk janë ndihmuar format e rezistencës së armatosur,  nuk është temë shtjellimi i këtij shkrimi, por temë boshte dhe pyetja kryesore e këtij trajtimi është çka u bë me këto mjete, e cila vazhdimisht bëhet si kërkesë e mërgimtarëve për të ditur se çka u bë me këto mjete, dhe ku kanë përfunduar?!

Dihet se dëshmori Agim Ramadani, pak kohë para betejës së Koshares, ishte mysafir i Degës së LDK-së në Zvicër, për të kërkuar mjete materiale për blerjen e armatimit për Betejën e Koshares, ndërsa në konton e qeverisë, kishte mjete të mjaftueshme, por Isa Mustafa dhe Bujar Bukoshi hezitonin t’ua jepnin ato para luftëtarëve të lirisë. Nga kjo distancë kohore dhe duke u bazuar në zhvillimet e tanishme, krijohet përshtypja sikur këto mjete qenkan ruajtur për të shërbyer pastaj në formimin dhe frymimin fillestar të grupeve mafioze dhe krimit të organizuar në Kosovë.

Pas përfundimit të luftës, në Kosovë Qeveria e Bujar Bukoshit si kryeministër i atëhershëm dhe Isa Mustafa si Ministër për Ekonomi dhe Financa, ish Parlamentit të Republikës së Kosovës ia paraqitën për miratim një raport Financiar ku përfshihej periudha prej marrjes nën administrim të Fondeve të Republikës gjerë në përfundim të luftës, raport që me sa dimë është aprovua nga kuvendi, ku thuhej se në kontot e Qeverisë së Kosovës kanë mbetur edhe diku rreth 64 milion marka gjermane. Më pas këta 64 miliona, me një vendim jo valid dhe klandestin të Isa Mustafes dhe Bujar Bukoshit, të cilët janë ndihmuar nga kryetarët e komisioneve për grumbullimin e mjeteve materiale për buxhetin e Kosovës në Perëndim (për Zvicër, Gani Hoxha dhe Arif Baftiu), buxheti i Kosovës tjetërsohet, duke u shndërruar në union fondesh (UFORK), me drejtor ekzekutiv të bordit të Fondeve, poste me pagë, me anëtarë bordi e kryetar kuvendi, siç e konfirmon publikisht, vet z. Gani Hoxha në një emision në KTV.

Por në fund parashtrohet një pyetje e thjeshtë: Me çfarë baze juridike, morale e njerëzore buxheti shtetëror privatizohet, pasi Kosova veç funksiononte si shtet. Pra paraja publike u tjetërsua dhe u bë pronë private e individëve, por nuk dihet nëse këto mjete janë përdorur për të bërë puç përbrenda LDK-së, apo për të pamundësuar hetimet dhe zbardhjen e krimeve në Kosovë, që lidhen edhe me Fondin 3%, përkatësisht me buxhetin e Republikës së Kosovës dhe se nuk dihet, kush u financua, për çka u financua dhe çka tjetër u financua me këto para.

Por, një është e sigurt se personat që patën qasje në këto fonde, qoftë në Fondin “Vendlindja Thërret” apo në “Fondin e 3%”, sot po e udhëheqin Kosovën, pothuajse në të njëjtën mënyrë siç i patën udhëhequr atëherë ato fonde, pa i dhanë atëherë askujt përgjegjësi, sikurse edhe tani që sillen si oligark, ndërsa Kosova vazhdon të vidhet dhe të keqpërdoret në të njëjtën mënyrë, sikurse edhe ato fonde që u destinuan për Kosovën, si dhe të njëjtat personalitete dhe individ, sot janë njerëzit më të pasur në Kosovë, pasuria e të cilëve është bërë kancer për zhvillimin dhe ekzistimin e Kosovës si shtet, ku do të duhej të funksiononte ligji dhe përgjegjësia.

Në kohën kur në Kosovë çdo gjë po zien, opozita e pa kënaqur me statutin e vetë, se nuk iu ka lënë aspak hapësirë dhe mundësi nga pozita për të vjedhur dhe gllabëruar edhe ajo shtetin, proteston, thyen e djegë pronën dhe të mirat shoqërore, vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet, ndërsa pozita të cilën e bënë koalicioni më i pa natyrshëm udhëheqin qeverinë për faqe të zezë, ndonëse të ngazëllyer dhe të bindur se s’ka kush çka t’u bëjë?! Sot në Kosovë shteti është kapur e ngulfatur, ndërsa pozita sillet sikurse të jenë pronar të këtij vendi, madje nuk dëshirojnë të dëgjojnë për pozitën dhe as për hallet e shumta të popullatës me gjendje ekzistenciale mjaftë shqetësuese e cila është sjell, pa fajin e saj, në buzë të greminës. Por zyrtarët qeveritar janë më shumë të preokupuar se si pasurinë e vjedhur ta rrisin edhe më shumë, të shtojnë vlerën e parasë së vjedhur, dhe në të njëjtën kohë edhe t’i rehatojnë të afërmit – ilaket e tyre, nepotizëm ky që ka ngulfatur Kosovën.

Dhe në krejt këtë situatë aspak të mirë për Kosovën dhe popullin e saj, shtrohet pyetja: A duhet Prokurori i Shtetit të rrijë duarkryq? A nuk duhet që i njëjti pa hamendje të filloi hetimet për këto Fonde dhe pasurinë e bosëve të Kosovës, dhe nëse Prokurori i Shtetit nuk ka fuqi për t’i udhëhequr këto punë me Prokurorinë e Shtetit, a nuk është koha që të njëjtën lëndë ta adresojë tek hetuesit ndërkombëtar?

Shpresojmë se ma në fund intelektualët e pa korruptuar dhe të ndërgjegjshëm  do të zgjohen nga letargjia, nëse ata dëshirojnë që laku t’i hiqet nga qafa Kosovës së lodhur, duhet që sa më parë keqbërësit dhe uzurpatoret e shtetit të Kosovës të përballen me drejtësinë dhe të përfundonin prapa grilave, kërkesë kjo jo vetëm e kosovarëve por edhe e miqve tanë ndërkombëtar.

 

CH – Hirzel me 09.02 2016.

Autori: Nazmi A. Peci – Boletini ishte:

–          Kryetar i Fondit Humanitar Gjithëkombëtar

–          Kryetar i parë i Komisionit të 3% për Zvicër

–          Themelues dhe anëtar i kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër,

(në tri mandate edhe Nënkryetar i Kryesisë të Degës).

 

SHPËRNDAJE