Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të mërkurën po vazhdon dëshminë dëshmitari i 52-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin 04571 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe dëshmia e tij është duke u dëgjuar në sesion privat për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari i 52-të e ka filluar dëshminë të martën. Ai është duke u marrë në pyetje nga avokati i Thaçit, Luka Mishetiq.

Ndryshe, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se do të merret ndërkohë edhe një vendim mbi parashtrimet që i ka bërë avokatja e Veselit, Ann Rowan.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

SHPËRNDAJE