Në Parlamentin e Maqedonisë, gjuha shqipe vazhdon të mos e ketë trajtimin e njëjtë me gjuhën maqedonase, edhe pse trumbetohet se ato janë të barabarta.
Deputetët shqiptarë në këtë institucion shumicën e materialeve i marrin në gjuhën shqipe, mirëpo të njëjtat më pas nuk arkivohen, siç ndodhë me të gjitha materialet apo dokumentet në gjuhën maqedonase.

Të punësuarit shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë thonë për INA se gjuha shqipe as për së afërmi nuk zbatohet zyrtarisht në Parlamentin e Maqedonisë.

“Disa materiale u dërgohen deputetëve shqiptar në gjuhën shqipe, mirëpo ato dokumente më pas hidhen në koshin e plehrave, dhe nuk arkivohen askund. Ndërsa, të gjitha materialet në gjuhën maqedonase, ashtu siç e kërkon ligji, arkivohen dhe sistemohen në vendet e duhura”, thotë një i punësuar shqiptar në Parlamentin e Maqedonisë, i cili dëshiron të mbetet anonim.

E njëjta ndodhë edhe me informacionet rreth aktiviteteve të Parlamentit, ato të gjitha medieve u dërgohen në gjuhën maqedonase, edhe pse thuhet se në këtë institucion janë të punësuar disa shqiptarë të cilët duhet të merren me këtë punë.

Gjuha shqipe çalon edhe në institucionet tjera shtetërore të Maqedonisë, përkundër një ligji të miratuar kohë më parë për gjuhët dhe simbolet, me të cilin pretendohej se shqipja do të jetë e barabartë me maqedonishten.

SHPËRNDAJE