(AIK-Presheva Jone)

TIRANE,Janar

 

Hoxhallarët shprehen kundër tentativave për të penguar vajtjen në arsimin parauniversitar me shami në kokë të vajzave myslimane. Duke marrë shkas nga projektligji i ri i arsimit parauniversitar, në një letër të hapur “Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë” kanë deklaruar se shamia nuk është simbol fetar, por pjesë e identitetit të besimit mysliman. Pikërisht për këtë arsye atë kërkojnë që të marrë fund diskriminimi ndaj këtij komuniteti, sa i përket prezencës së tyre në arsimin parauniversitar, pasi sipas tyre shfaqja publike e besimit, qoftë edhe nëpërmjet veshjes, nuk duhet të trajtohen si shprehje të një ekstremizmi fetar dhe cenim i laicitetit të shtetit, por si të drejta legjitime të këtyre praktikantëve besimtarë.

Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë, një organizatë e pavarur kjo, që mbledh në gjirin e saj një numër të madh teologësh myslimanë, është përfshirë në debatin publik për çështjen e shamisë islame, i nxitur nga projektligji për arsimin parauniversitar. Me anë të një deklarate ata kanë sqaruar se shamia nuk është simbol fetar, ndaj nuk mund të ndalohet nëpër shkolla. “Mbulimi i trupit dhe i kokës (jo i fytyrës), për një besimtare myslimane, që ka arritur moshën e pubertetit, është një obligim i besimit dhe praktikës islame. Ky detyrim është i sanksionuar në Kuran dhe për të, ka një unanimitet solid, në mes të gjitha shkollave dhe interpretimeve teologjike islame, si ato tradicionale, ashtu edhe ato bashkëkohore. Aq i qartë dhe i pandryshueshëm është ky qëndrim, saqë ai konsiderohet shenjtëri e paprekshme e fesë islame”, – sqarojnë ata në deklaratën e tyre. Më pas ata shtojnë se rikonfirmojnë atë që është deklaruar edhe më parë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë se, shamia nuk është një simbol fetar, por pjesë e identitetit të besimit musliman.

Sipas tyre, ndalimi i shamisë në arsimin publik parauniversitar, jo vetëm që përjashton një kategori të rëndësishme të shoqërisë shqiptare nga e drejta e arsimimit, por ai dëshmon për përjashtimin e tyre nga jeta publike. “Kërkojmë që kërkesa jonë për të ushtruar të drejtën e shfaqjes publike të besimit, qoftë edhe nëpërmjet veshjes, dhe njëkohësisht, për t’u arsimuar në shkollat publike, apo për të punuar në institucione të tilla, të mos trajtohen si shprehje të një ekstremizmi fetar dhe si cenim i laicitetit të shtetit, por si të drejta legjitime për t’u plotësuar nga ana e tij”, – përfundojnë ata.

Por pervec muslimaneve, në debatin që ka lindur pas prezantimit të draftit të ri të arsimit parauniversitar janë përfshirë edhe katolikët. Ata janë deklaruar kundër të këtij projektligji të ri që ndalon ekspozimin e simboleve fetare në ambientet shkollore. Monsinjor Rrok Mirdita, ka deklaruar se ky draft nuk duhet të aprovohet. Sipas tij, kjo pasi nuk përcaktohet qartë se çfarë kihet parasysh me simbol fetar, ndaj sugjeron që të rishikohet kjo pikë.

SHPËRNDAJE