Moskë, 1 dhjetor – Kryetari rus Dmitrij Medvedev e ka shqyrtuar kërkesën e serbëve të Kosovës për shtetësi ruse, por, sipas Ligjit për shtetësi të Rusisë nuk mund t’iu përgjigjet kërkesës së tyre, ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug zëdhënësi MPJ të Rusisë Aleksandar Lukasheviq.

Ai po ashtu ka thënë se Rusia do të dërgojë të gjitha llojet e ndihmave për serbët në veri të Kosovës ndërsa përmes UNESCO do të ndihmojë objekte fetare serbe.

Ambasadës ruse në Beograd më herë i kishte shkuar kërkesa serbe me 22 mijë lutje për shtetësi ruse.

Njëri nga iniciatorët e kësaj kërkese dhe kryetar i organizatës së ashtuquajtur “Stara Srbija” (Serbia e Vjetër) kishte thënë se serbët janë të pakënaqur me bisedimet në Bruksel dhe se marrja e shtetësisë ruse “do ta pengonte islamizimin e Kosovës” .

Në komunat serbe të veriut të Kosovës në javën e shkuar ka filluar nënshkrimi peticionit “Mitrovdansko proshenije”, (Lutjet e Shën Mitrit) me të cilin serbët nga veriu kërkojnë shtetësinë ruse dhe luten që vetëm Moska t’i përfaqësojë nëpër botë”.

SHPËRNDAJE