Bunkerët e ndërtuar gjatë rregjimit komunist, dalëngadalë do t’u mbetet vetëm emri, pasi ato kanë nisur të shkatërrohen. Në zonën e plazhit në Divjakë rreth 1000 bunkerë po shemben. E gjithë sipërfaqja e brezit të parë në plazh, si edhe zona në parkun kombëtar po pastrohet nga bunkerët. Bashkia ka gjetur një rrugëzgjidhje për përdorimin me efikasitet të mbeturinave të dala nga shembjet. Hekuri i mbledhur, që është goxha shumë, dërgohet për skrap, ndërsa inertet po përdoren për mbushjen e gropave në rrugë.

Të gjithë bunkerët përpara kabinave të plazhit janë hequr, duke rritur në këtë mënyrë sipërfaqjen e pushuesve. Deri dje këta bunkerë ishin kthyer në një pengesë për pushuesit, por edhe në vendgrumbulim për mbeturinat. Puna ka disa muaj që ka nisur dhe është një sipërmarrje private.

Bashkia Divjakë pas çdo shembjeje kryen pastrimin e zonës, ndërsa policia pyjore e cila ka në administrim parkun kombëtar ka marrë masa për ruajtjen e bimësisë pyjore. Të gjithë organizmat janë vënë në punë për pastrimin e territorit të plazhit nga mbetjet e bunkerëve para fillimit të sezonit turistik i cili do të nisë në 1 qershor.

SHPËRNDAJE