Kryetari i tanishëm i Skenderajt Sami Lushtaku, ka thënë se UÇK-ja u emërtua në odën e Adem Jasharit, jo në Zvicër e askund tjetër.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës mori emërtimin në odën e Adem Jasharit në Prekaz dhe jo në Zvicër apo gjetiu”, ka thënë njëri nga luftëtarët e parë, Sami Lushtaku. Ai për herë të parë në një intervistë televizive ekskluzivisht për emisionin “Rubikon” me Adriatik Kelmendin, ka folur gjatë për çështje të ndryshme, duke filluar nga periudha e luftës, e deri tek udhëheqja e tij me komunën e Skënderajt. Lushtaku ka sqaruar takimet mes Adem Jasharit, Ibrahim Rugovës e Bujar Bukoshit në Tiranë, marrëdhëniet me Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, prezencën e tij në kuvendin e Kosovës gjatë zgjedhjes së ish-presidentit Pacolli, udhëheqjen e tij në Komunën e Skënderajt dhe synimet e tij politike pas përfundimit të mandatit të kryetarit. Një prej figurave më të përfolura të Partisë Demokratike të Kosovës, kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, që haptazi e pranon që nuk i pëlqejnë fort intervistat, është ulur për herë të parë për një intervistë në studio televizive.

Lushtaku në emisionin Rubikon të KTV-së, ka rrëfyer për angazhimin e tij në fillimet e organizimeve të asaj që më pas do të bëhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe takimet e Adem Jasharit, kushëririt të tij, me udhëheqësit politikë të viteve 90.

Sipas Lushtakut emërtimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte bërë në odën e Adem Jasharit, jo siç kishin deklaruar disa nga ish-luftëtarët e tij, në mesin e të cilëve edhe Xhavit Haliti e Rexhep Selimi.

Sami Lushtaku nuk ka pranuar të ketë ndonjë informacion për 40 mijë markat të cilat është thënë t’i ketë marrë deputeti aktual Azem Syla, për sigurimin e armatimit për familjen Jashari.

Ai ka shpjeguar edhe rrethanat në të cilën i ishte prezantuar marrëveshja e Rambujesë nga Hashim Thaçi, të cilën fillimisht kishte refuzuar ta nënshkruajë.

Kryetari më i votuar i ndonjë komune në Kosovë, Lushtaku, u deklarua edhe për futjen në listën e zezë të kryetarit të SHBA-së, George Bush, dhe ka mohuar të kishte lidhje me organizimet ushtarake të asaj kohe, si UÇPMB-ja.

Dënimin që e kishte marrë për pengim të personit zyrtar për kryerje të detyrës, ai e cilësoi si të motivuar politikisht ndaj tij, ndërsa ka thënë të mos jetë në sy të mirë të bashkësisë ndërkombëtare, për faktin që ishte kontrolluar mbi 10 herë në shtëpinë e tij, e nuk ishte gjetur asgjë e jashtëligjshme.

Marrëdhëniet e tij me kryeministrin aktual, Hashim Thaçi, jo gjithherë kanë qenë të mira, pranon Lushtaku.

Qëndrimi i tij në Kuvendin e Kosovës, gjatë seancës që ishte zgjedhur tanimë ish-presidenti Behgjet Pacolli, që ishte parë si presion për deputetët që nuk e kishin votuar Pacollin, Lushtaku thotë se vetëm i ka ndihmuar procesit.
Ai ka konfirmuar të mos i ketë marrëdhëniet e mira siç i kishte pasur dikur me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi.

Për procesin e votimeve që u përsërit në këtë komunë, pas parregullsive të shumta, ai pranoi që kishte keqpërdorime, por sipas tij, nuk ka pasur presione drejt qytetarëve.

Ai nuk i ka komentuar deklaratat e përfaqësuesit të familjes Jashari, Muratit, ndërsa ka deklaruar se vetëm respekt ka për familjen Jashari.

Lushtaku ka bërë të ditur se ka për qëllim që pas këtij mandati të kryetarit, të mos kandidohet më për këtë pozitë, dhe se do të dëshironte të kandidohej për pozitën e deputetit, në Kuvendin e Kosovës.

SHPËRNDAJE