Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e falenderoi Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian Stefano Sannino për mbështetjen e dhënë në çdo hap të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, duke e siguruar se “Parlamenti shqiptar është i angazhuar për të vijuar reformat drejt finalizimit me sukses të 12 rekomandimeve të KE-së, në mënyrë që Shqipëria të meritojë statusin e vendit kandidat në vjeshtën e këtij viti, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Duke e cilësuar procesin e integrimit si një projekt kombëtar, zonja Jozefina Topalli tha se në krye të axhendës së Parlamentit është dhe mbetet integrimi në BE.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se pas bojkotit dhe bllokimit të reformave nga opozita, me marrëveshja e nëntorit në Parlament gjatë këtyre katër muajve janë miratuar ligje të rëndësishme në përmbushje të kërkesave të KE-së.

Ajo përmendi këtu miratimin e pesë Kodeve, Civil, Penal, Detar, Ajror dhe Hekurudhor, si dhe angazhimin e palëve në shqyrtimin e projektligjit për ngritjen e Gjykatës Administrative etj.

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian vlerësoi rolin e Parlamentit për punën që ka bërë në shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve dhe reformave të integrimit.

Zoti Saninno theksoi se ky është një proces që kërkon dialog konstruktiv dhe bashkëpunim midis palëve.

“Përgëzoj punën e Parlamentit në miratimin e të ligjeve dhe reformave që synojnë të çojnë përpara këtë projekt Unë shoh një situatë pozitive, hapat e parë, ato ndoshta më të vështirat tashmë janë superuar. Puna që mbetet është më lehtësuese, ajo që unë dua të theksoj është që Shqipëria, në një proces gjithëpërfshirës të vijojë me ritmin e reformave në mënyrë që dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian të binden për rezultatet që vendi po shënon drejt integrimit”, u shpreh Sannino.

Kryetarja e Kuvendit vuri theksin edhe në domosdoshmërinë e heqjes së imunitetit, jo vetëm për zyrtarët, por edhe për gjyqtarët ndërsa theksoi se mazhoranca është në pritje të opozitës për të hedhur hapin e saj në realizimin edhe të kësaj sfide.

“Unë jam e bindur që heqja e imunitetit është arma më e mirë për luftën kundër korrupsionit, është një tjetër sfidë e rëndësishme për integrimin e Shqipërisë. Por edhe për sistemin e drejtësisë në tërësi. Ky është një proces që duhet të përfshijë jo vetëm zyrtarët por edhe gjyqtarët, në mënyrë që të ketë transparencë, që gjithsecili të jetë i barabartë përpara ligjit. Le të bëjmë hapin e parë, të heqim imunitetin. Askush, politikan, zyrtar i lartë apo gjyqtar nuk duhet t’i trembet ligjit, pasi në një vend ku sundon shteti ligjor, ligji është mbi të gjitha palët. Imuniteti nuk mund dhe duhet të përdoret nga askush për t’i shpëtuar drejtësisë si një mjet mbrojtjeje ndaj saj”, nënvizoi Kryetarja e Kuvendit.

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në KE, Stefano Sannino e mbështeti këtë qëndrim duke theksuar se për heqjen e imuniteteve duhet të angazhohet e tërë klasa politike në vend.

SHPËRNDAJE