Fjalimi i Liburn Aliut në lidhje më dhunën e shkaktuar ndaj shqiptarëve në Maqedoni

 

Ajo që kohëve të fundit që po ndodh në Maqedoni, incidentet e vazhdueshme, ku kohe me pare u vranë dy shqiptarë nga një polic maqedon, rrahja e nxënësve shqiptarë në autobus, e incidente tjera, vërejmë se po injorohet nga Prishtina e Tirana, dhe atë shpesh duke dëshiruar të paraqiten si incidente spontane e apo si të izoluara e që ndodhën si pasojë e dallimeve etnike dhe ku shteti maqedon nuk ka të bëjë me to.

 

Shqiptarët në Maqedoni shtypen nga shteti. Dhe incidentet e tilla madje edhe sikur të mos ishin të organizuara drejtpërdrejtë, ato janë fryt i shovinizmit maqedon që shteti maqedon i fryn tash sa vite. Atje shteti e nxiti dhe po vazhdon ta nxisë shovinizmin antishqiptar. Dhe kjo që po ndodh është fryt i drejtpërdrejtë i kësaj politike që fillon nga akademia maqedone me fyerjet përmes enciklopedisë, nëpërkëmbja e vlerave kulturore shqiptare, karnavalet e organizuara antishqiptare deri te vrasja e veprimtarëve shqiptar.

Më e keqja është se gjatë tërë kësaj kohe Prishtina ka heshtur dhe madje ka ndodhë të jetë edhe në anën e krimit. Kur më 12 maj 2010 u vra veprimtari Harun Aliu, ministri Rexhepi deklaronte se kemi bashkëpunim të mire me Maqedoninë, pas takimit me homologët maqedonë, menjëherë pas vrasjes misterioze, ku Harun Aliu paraqitej si kontrabandist armësh.

 

Pra, kjo politikë e nxitjes së urrejtjes kundër shqiptarëve merrte dhe merr krahë edhe nga heshtja e Prishtinës dhe Tiranës. Dhe tani kur si fryt kemi dhunën e shfrenuar edhe më tutje, synohet të amnistohet shteti maqedon. Dhe para kësaj nuk bën të heshtet pasi nuk është e drejtë. Shqiptarët vazhdojnë të bartin stabilitetin e Ballkanit mbi kurriz të tyrin. Dhe si shpërblim për këtë kanë shtypjen e vazhdueshme.

 

Pse sot ndodh kjo tani?

Shumë thjeshtë, sot shqiptarët janë më të dobët se që ishin para 10 vitesh, dhe sot maqedonët janë shumëfish më të fortë dhe më shovinistë se para 10 vitesh. Për 10 vite rresht shqiptarët çorganizohen, dobësohen, përçahen, dhe për 10 vite rresht shteti maqedon forcon dhe ushqen shovinizmin ndaj shqiptarëve.

Tanimë jemi në pikën kur shqiptarët përdhe, përballen me shtetin maqedon të mbushur urrejtje kundrejt tyre. Për 10 vite rresht, edhe ajo marrëveshje që ishte, nuk u zbatua, edhe pse as për së afërmi nuk i plotëson kërkesat e shqiptarëve.  Të mos harrojmë atë marrëveshje shqiptarët e nënshkruan për hir të stabilitetit dhe tani kur ata janë dobësuar fare fillon dhunë ndaj tyre.

 

Dhe Prishtina hesht. Hesht se edhe ajo është bartëse e një politike e cila e dobëson potencialin shqiptar.

 

Ne po dobësohemi gjithandej. Ne po shtypemi gjithandej, ndërsa faktori politik shqiptar e ka reduktuar projektin e vet politik ne ruajtjen e pushtetit dhe jo ne  mbrojtjen e shqiptareve.

Shqiptarët po shtypen dhe dëbohen, dhe po e humbin hapësirën ku jetojnë, dhe kjo po ndodh edhe përkundër faktit që janë të dëgjueshëm, edhe përkundër faktit që stabilitetin e rajonit e mbajnë mbi kurriz.

 

SHPËRNDAJE