Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi sot përmes një konference për media prezantoi aderimin e ekonomistit Arben Mustafa në këtë parti, i cili njëherësh njoftoi se Mustafa do ta udhëheqë Departamentin për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë.

Ekonomisti i njohur që nga sot po fillon karrierën e tij politike në PDK, Arben Mustafa, është profesor i ekonomisë në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”. Që nga viti 2008, ai ka qenë i angazhuar si ligjërues universitar i lëndëve nga fusha e mikro ekonomisë, makro ekonomisë, bankave dhe financave, dhe politikave monetare, në njërin nga universitetet private në vend.

Prej vitit 2007, ai ka ushtruar funksione me rëndësi në kuadër të Departamentin për Analiza Ekonomike dhe Stabilitet Financiar në Bankën Qendrore të Kosovës, ndërsa aktualisht punon si Këshilltar i lartë për Mbikëqyrje Financiare.

Mustafa ka përfunduar studimet themelore në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ato master dhe të doktoratës në Staffordshire University, si dhe është autor e bashkëautor i dhjetëra punimeve shkencore, pjesëmarrës i disa konferencave ndërkombëtare, dhe ka ndjekur një mori trajnimesh në fushën e ekonomisë dhe mësimdhënies.

SHPËRNDAJE