zgje1KOSOVE-Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka ka hapur sot qendrat e votimit, duke u bërë votuesja e parë e zgjedhjeve të parakohëshme në Kosovë. Mbi 1 milion e 782 mijë qytetarë me të drejtë vote do të kenë sot mundësinë që të votojnë për subjektin e tyre të preferuar dhe pesë kandidatët për deputetë në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 e mëngjesit  dhe do qëndrojnë deri në 19:00 të mbrëmjes. Gjithsej janë 798 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 374 vendvotime. Kurse, numri total i personave me të drejtë vote është 1 milion e 782 mijë e 454 veta.

Për pjesëmarrje në zgjedhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 30 subjekte politike, prej tyre, 18 parti politike, 7 iniciativa qytetare, 1 kandidat të pavarur dhe 4 koalicione me gjithsej 1 mijë e 235 kandidatë për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

 

votimeKuvendi i Kosovës ka 120 vende. Por, prej tyre subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje mund të garojnë për vetëm 100 vende, pasi 20 të tjera janë të garantuara për komunitet pakicë. Nga këto vende të garantuara, 10 u takojnë subjekteve nga komuniteti serb dhe 10 të tjera komuniteteve minoritare jo serbe.  Votimet do të vëzhgohen dhe monitorohen nga organizata vendase dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe Bashkimin Evropian dhe disa ambasada të vendeve të ndryshme në Prishtinë. Numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar, sipas të dhënave jo përfundimtare të KQZ-së, është mbi 40 mijë.

Për mbarëvajtjen e procesit, nga aspekti i sigurisë është angazhuar Policia e Kosovës. Ndërkaq, për shkak të specifikave të veçanta në veriun e Kosovës, ajo do të ndihmohet edhe nga policia e EULEX-it, si dhe nga forcat paqeruajtëse të KFOR-it. Gjithashtu, edhe organizimi i zgjedhjeve, sado që bëhet sipas ligjeve të Kosovës dhe rregullave të KQZ-së, në veri do të përkujdeset misioni i OSBE-së.

Ndërkaq, për pengimin dhe luftimin e parregullsive dhe manipulimeve, janë angazhuar edhe 100 prokurorë dhe gjykatës, të cilët do të jenë aktivë gjatë gjithë procesit. Dënimet për manipulim dhe ndërhyrje në proces, parashihen të jenë mjaft të ashpra.

Zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit pasojnë aktin e vetë-shpërndarjes së legjislaturës paraprake që çoi vendin në zgjedhje të parakohshme.

Pas konstituivit të përbërjes së re të Kuvendit, partia fituese, përkatësisht kandidati i saj për kryeministër do të mandatohet nga presidentja, për të formuar qeverinë e re të Kosovës. Qeveria e Kosovës, zgjidhet nga Kuvendi me mbi 61 vota të deputetëve. Në rast se partia fituese dështon që të sigurojë mbështetjen e Kuvendit për formimin e qeverisë, më pas rastin për formimin e qeverisë do ta fitonte edhe partia që do të dalë e dyta për kah rezultati në zgjedhje.

Vështruar nga aspekti politik, bashkësia ndërkombëtare pret që Kosova të kalojë këtë proces në mënyrë të rregullt e demokratike, duke e cilësuar atë edhe si një test tjetër të demokracisë për shtetin më të ri evropian.

SHPËRNDAJE