Në dialogun e Brukselit, pala kosovare zyrtarisht ka ngritur çështjen e reciprocitetit të të drejtave për serbët e Kosovës dhe shqiptarët që jetojnë në Serbi, tha Ardita Sinani, këshilltarja politike për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë e kryeministrit Albin Kurti.

Duke folur për rëndësinë e zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit Kurti, Sinani vlerësoi se për 20 vjet me radhë, programi i Beogradit për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës nuk ka qenë efektiv, në krahasim me atë të serbëve që jetojnë në Kosovë, për të cilën, thotë ajo, Serbia ka investuar shumë,.

Tutje, si këshilltare politike, Sinani konsideron që duhet të vendoset reciprocitet i të drejtave të minoriteteve pakicë duke respektuar primatin e barazisë dhe demokracisë, të cilën, sipas saj, Vuçiq nuk e respekton.

“Vuçiq keqpërdor serbët që jetojnë në Kosovë dhe në rajon, në kontekstin e forcimit të sundimit të tij autoritar brenda Serbisë dhe përhapjes së hegjemonisë jashtë saj. Ai përpiqet të shtypë të drejtat e pakicave në Serbi për të arritur pushtet absolut. Ne kërkojmë të drejtat e pakicave në Serbi në funksion të qeverisjes demokratike. Ky është një ndryshim i madh”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë në gjuhën serbe.

“Vuçiq synon aristokraci, ndërsa ne demokraci”, tha tutje Sinani.

SHPËRNDAJE