Në konkluzionet e Komisionit Evropian për vendin vlerësohet për të tretin vit radhazi se “Maqedonia vazhdon të plotësojë mjaftueshëm kriterin politik dhe se vendi është i gatshëm për të nisur negociatat për anëtarësim”.

Pikat kyçe të raport progresit për vendin janë përmbledhur në tre pjesë. Në kriterin politik, vlerësohen se zgjedhjet ishin përgjithësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe se koalicioni qeverisës u vendos pa pengesa.

“Një farë progresi u bë në fushat e gjyqësorit dhe administratës publike, veçanërisht përsa i përket kuadrit ligjor. Më shumë përpjekje nevojiten për të garantuar zbatimin, veçanërisht për sa i përket reformave në gjyqësor dhe administratë publike, në luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e shprehjes në media. Dialogu mes qeverisë dhe opozitës duhet të forcohet për të garantuar funksionimin pa pengesa të institucioneve dhe për t’i mundësuar Parlamentit të luajë plotësisht rolin e tij”, konkludon Komisioni Evropian.

Për kriterin ekonomik vlerësohet rimëkëmbja në gjysmën e dytë të vitit 2010 dhe progresi i mëtejmë drejt shndërrimit në një ekonomi funksionale tregu. Politikat fiskale kanë ruajtur stabilitetin.

“Gjithsesi, dobësia në shtetin ligjor vazhdoi të pengojë funksionimin e duhur të ekonomisë së tregut. Efikasiteti i administratës publike mbetet i ulët dhe disa nga agjencitë rregullatore dhe vëzhguese nuk kanë pavarësinë e duhur dhe as burimet për të përmbushur funksionet e tyre. Cilësia e qeverisjes fiskale mbeti e ulët, pjesërisht për shkak të orientimit të fortë afat-shkurtër të shpenzimeve publike. Progresi për të ulur papunësinë tepër të lartë ka mbetur shumë i kufizuar”, evidentojnë konkluzionet e KE-së.

Në pjesën e tretë, atë të përafrimit të legjislacionit vendas me të BE-së, progres i mëtejmë është shënuar në tregun unik, nëpërmjet ligjit për kompanitë, shërbimet financiare dhe energjinë. Progres i mirë vlerësohet të jetë bërë edhe në sigurinë ushqimore dhe për unionin ekonomik dhe monetar.

“Më pak progres u arrit në fusha të tjera si taksimi, prokurimet publike si dhe në politikat sociale dhe ato të punësimit. Përpjekje të vazhdueshme nevojiten për përforcimin e kapaciteteve të administratës publike dhe në zbatimin dhe përforcimin e legjislacionit”, përfundojnë konkluzionet kyçe për vendin, në tre fushat kryesore të vëzhguara nga Komisioni Evropian.

SHPËRNDAJE