Shkruan: Nehat Hyseni
Kaloi një çerekshekull nga mbajtja e Referendumit të shqiptarve të Luginës së Preshevës, dmth. të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, “Për autonomi politike e territoriale, me të drejtë bashkëngjitjes Kosovës”.
Në fakt, ky Referendim paraqet deklarimin e parë në histori të vullnetit politik të shqiptarve të këtij rajoni të banuar me shqiptarë, që edhe pas çlirimit të Kosovës nga Serbia me intervenimin ushtarak të NATO-s dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbetën nën regjimin antishqiptar të Serbisë.
Mjerisht, kjo pjesë e Shqiptarisë, përkundrejtë deklarimit të qartë dhe të vendosur të vullnetit të vet politik “për autonomi politike e territoriale” dhe “për bashkim me Kosovën”, nuk arriti që gjatë këtyre 25 viteve pas Referendumit të 1 e 2 marsit 1992 ta realizoj këtë objektiv të veton politik. Madje, as pas luftës së dytë të armatosur të UÇPMB-së (2000-2001), pas asaj të vitit 1999 në Kosovë, shqiptarët e Luginës së Preshevës, jo vetëm që nuk arritën që të bashkohen me Kosovën, por as nuk arritën dhe nuk ia dolën që as pjesën e parë të pyetjes së Referendumit, dmth. autonominë politike e territoriale në Serbi.
Kurse, për bashkëngjitjen me Kosovën, as që bëhet fjalë!
Fajtorë për këtë gjendje të degraduar të shqiptarve të Luginës, në rend të parë janë vet shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe lidershipi i tyre demagogjik që pas luftës së UÇPMB-së instaloi të ashtuquajturën politikë të veprimit në “dy binarë”: proklamim verbal të “patriotizmit radikal” dhe të “mosnjohjes së Serbisë”, nga njëra anë, si ushqim politik për publikun dhe për votuesit e mashtruar, si dhe bashkëpunimin sekret me shtetin e Serbisë për interesa të biznesit të tyre familjar e partiak, që u siguroi atyre pasurim marramendës dhe “plaçkitje patriotike” e varfërim dhe mjerim të skajshëm të shqiptarve të Luginës, duke shkaktuar shpërngulje të paparë të tyre dhe boshatisje ekstreme të trojeve të tyre stërgjyshore.
Kjo politikë makabre, e udhëhequr nga mafiozët e Preshevës dhe Bujanocit, 12 vjet shkretëtuan gjithçka shqiptare në këto dy komuna deri në zgjedhjet e 24 prillit 2016, kur humbën dhe pritet që sadopak të marrin edhe ndëshkimin e merituar ligjor e moral.
Ata ua kthyen shpinën Tiranës dhe Prishtinës, duke deklaruar se “s’ka çka na përzihet Kosova e Shqipëria, sepse ne i dijmë më së miri punët tona”!
Politika plangëprishëse e tyre, në bashkëpunim sekret me qarqet më të errëta antishqiptare të Serbisë, vite me radhë ishte pengesë dhe barrierë e pakapërcyeshme për formimin e çfarëdo uniteti apo institucioni unik të shqiptarve në Luginë të Preshevës. Kështu, ata e bojkotuan formimin dhe zgjedhjet për Këshillin Nacional të Shqiptarve të Luginës, më 6 qershor 2010, duke e shpallur si “tradhëti” votimin në ato zgjedhje, etj. Destruktiviteti i tyre ishte i pafund dhe sherret ndaj shqiptarve të planifikuara e të kurdisura në kuzhinat antishqiptare të kumbarës familjar të tyre, Dr. Stankoviq, që tani është paraqitur si vullnetar për të dëshmuar kundër Ramush Haradinajt në Paris.
Natyrisht, ata merrnin shpërblime të majme nga Serbia për këto shërbime për realizimin e Planit sekret të Qeverisë së Serbisë të vitit 2002 për spastrimin etnik të Luginës së Preshevës, duke i rritur e forcuar bizneset dhe firmat familjare të zotit Arifi dhe Mustafa, duke i shkatërruar bizneset e tjera të shqiptarve.
Pra, apetitet dhe llaskucëria e pangopëshme për pasuri e pushtet të lidershipit demagogjik e tradhëtar të Luginës, që gjatë kohë abuzoi me pushtet dhe me ndjenjat patriotike të shqiptarve ishte fatkeqësia ogurzezë që i dëmtoi rënd shqiptarët e Luginës, duka ua vrarë atyre shpresat për një ardhmëri më dinjitoze njerëzore e kombëtare, që i detyroi t’ia mësyenin shpërnguljes masive drejtë Kosovës dhe Europës.
Kurse, Shqipëria, përveç deklarimeve verbale, nuk ka bërë ndonjë hap domethënës dhe të rëndësishëm në mbështetje dhe mbrojtje të shqiptarve të Luginës.
Ndërkaq, Kosova dhe Qeveria e saj kanë përgjegjësi të veçantë para popullit, para historisë dhe para Zotit për mospërfshirjen e çështjes së shqiptarve të Luginës në Dialogun e Brukselit, as në Marrëveshjen e 19 prillit 2013 të nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, e as në Marrëveshjen e 25 gushtit 2015, të nënshkruar nga kryeministri Isa Mustafa.
Pa trajtimin e barabartë të çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës me atë të serbëve të Kosovës, rrezikojmë realisht humbjen e Luginës, por dhe atë të Pavarësisë reale e funksionale të Republikës së Kosovës.
Brengosje të veçantë për këtë pjesë të gjeografisë gjithëshqiptare aktualisht paraqet zhgënjimi i votuesve shqiptarë në partitë politike të shqiptarve, si dhe depërtimi i islamit politik, si në Maqedoni ashtu edhe në Luginë të Preshevës, që solli parti politike me këte ideologji islamike, në pushtet, të cilat i mëshefin me xhelozi e perfiditet burimet e dyshimta të financimit të tyre, si dhe misionin dhe qëllimet e agjendat politike që realisht ato i përfaqësojnë.
Deklarimet e pamatura dhe skajshmërisht të papërgjegjëdhme e arrogante kundër Referendumit të 1 e 2 marsit 1992 dhe se kinse nevoitet një “rikonfirmim” i tij, më së miri e ilustrojnë klimën dhe agjendat e dyshimta që ata synojnë paturpësisht t’i imponojnë.
Andaj, mbetet obligim për një unitet veprimi dhe mirëkoordinimi me faktorin gjithëshqiptar dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë, me BE-në dhe SHBA-të, për ballafaqim efikas me sfidat që na presim edhe nga agresioni gjithënjë e më egër dhe më i paskrupulltë i Rusisë dhe i radikalizmit islamik, që shpeshëherë dijnë të bashkëpunojnë e ta mbështesin njëri-tjetrin me ndërmjetësimin e Serbisë, duke i shpërblyer argatët e tillë, për qëllimet e tyre destruktive e djallëzore dhe tmerrësisht antishqiptare.

SHPËRNDAJE