(AIK-Presheva Jone)

Ekspozitë me vepra kushtuar Nënë Terezës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, dje ishte shndërruar në një hapësirë ekspozuese të disa prej titujve më të njohur kushtuar humanistes shqiptare, Nënë Terezës. Kjo me rastin e 100-vjetorit të lindjes së murgeshës shqiptare. Në fjalën e tij përshëndetëse z.Shefki Ukaj nga Këshilli Organizativ për shënimin e këtij përvjetori, pranë Ministrisë së Kulturës, ndër të tjera prezantoi edhe një katalog me ngjyra, në të cilin janë përfshirë ballinat e librave të shumta, që autorët e huaj i kanë kushtuar Nënë Terezës. “Ky katalog së bashku me librat tjerë, që janë botuar në gjuhën shqipe, angleze e gjermane, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës shumë shpejt do të dërgohen në ambasadat e republikës sonë, në vendet tjera mike.

Se sa e fuqishme anekënd botës është Nën Tereza, dëshmon edhe fakti se për këtë figurë, autorë të shumtë ndërkombëtarë kanë shkruar me respekt”,- ka nënvizuar Ukaj. Ndërsa ka bërë me dije se deri tani, janë realizuar mbi 30 ngjarje, kushtuar figurës së humanistes shqiptare, duke bërë përpjekje që këtë figurë ta paraqesin gjithanshëm, nëpërmjet filmave të shumtë dokumentarë, të autorëve të huaj dhe vendorë, nëpërmjet pikturave të piktorëve shqiptarë, të mbi 10 librave dhe tre katalogëve të ekspozitave, në kuadër të këtij jubileu. Që të gjitha këto vepra dhe aktivitete janë organizuar dhe botuar nga Ministria e Kulturës së Kosovës, Instituti i Historisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Nga ana tjetër biografi më i madh i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji tha se ndihet mjaftë mirë rreth kësaj sofre kulturore dhe shpirtërore të cilën na e ka mundësuar kjo nënë e dashurisë. “Unë me 15 libra, që i kam shkruar për Nënën Terezën, e të cilat janë përkthyer diku në 35 apo 40 gjuhë, jam munduar ta laj një borxh të vogël për dashurinë dhe dëshminë e madhe, që dha ajo për popullin tonë shqiptarë, për krishterimin tonë 2000-vjeçar, për traditën dhe kulturën tonë. Kjo është hera e parë që po i shihni 100 vëllime, në gjuhë të ndryshme e që janë përzgjedhur nga gjithsej 297 sosh, të cilat së shpejti do të digjitalizohen, kështu që të gjithë do të kenë mundësi që të hyjnë në këto dritare të mëdha”,- ka përfunduar Don Lushi.

Ndërsa drejtori i BKUK-së, z. Sali Bashota ka potencuar se 300 veprat e shkruara për nënën shqiptare në gjuhë të ndryshme të botës, janë bërë udhërrëfim për të shpalosur dimensionin universal të humanizmit, i cili buron kudo në botë.” Botimet e shumta pothuajse në të gjitha gjuhët e botës si meditime, kujtime, vepra dokumentare, poezi etj., tregojnë për fuqinë shpirtërore të Nënës Terezë, e cila është e skalitur në shpirtrat e të vuajturve”-, ka përfunduar Bashota.

SHPËRNDAJE