Shkrimtari i njohur ishte akuzuar nga Enea Nauni, i cili deklaronte se Kadare kishte shpifur ndaj tij tek Ministria e Brendshme, për të mos lejuar botimin e librave të tij.

Por kjo nuk është vërtetuar në Gjykatë, kështu që shkrimtari i njohur fitoi pafajësi.

Padia mbante numrin e çështjes 1064, ndërsa u regjistrua në gjykatë më 24 shkurt të këtij viti.

Sipas pretendimeve të Naunit, shkrimtari Kadare e kishte penguar atë që të botonte libra, duke ndërhyrë në Ministrinë e Brendshme, ku i adresonte fjalë të paqena.

Pavarësisht pretendimeve të dhëna para togave të zeza, paditësi nuk i paraqiti asnjë provë gjykatës, që të faktonte akuzat e tij. Për shqyrtimin e kësaj padie, gjykata thirri edhe prokurorinë.

Prokurorja Tatjana Laçej, pasi shqyrtoi pretendimet e palës paditëse, kërkoi nga gjykata deklarimin e pafajshëm të shkrimtarit Ismail Kadare.

Të njëjtën kërkesë bëri para gjyqtarit të çështjes edhe mbrojtësja e caktuar kryesisht, Nevila Pushi.

Vetë shkrimtari nuk ka qenë i pranishëm gjatë gjykimit të tij, pasi kishte vendosur të mbrohej nga avokatja e caktuar nga shteti, pasi nuk ka shfaqur interes mbi këto akuza.

SHPËRNDAJE