Ish-komandanti i ish-Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), Shefket Musliu, e konsideron të padrejtë dhe të motivuar politikisht vendimin e Gjykatës së lartë për krime lufte në Beograd, e cila dënoi me 116 vjet burg 11 shqiptarë të Luginës së Preshevës, në mesin e tyre edhe vetë Musliun me 5 vjet heqje lirie.

Në një intervistë për “Zëri”, Musliu thotë se dënimi i shqiptuar nga Gjykata e Lartë në Beograd i ngjan një gjykimi të një regjimi totalitar, që nuk njeh drejtësi. Me këto dënime Beogradi zyrtar, sipas tij, po e vazhdon politikën e vjetër të ish-diktatorit Sllobodan Millosheviq, që për synim kishte spastrimin etnik të Luginës së Preshevës.

“Dënimi i Gjykatës së Lartë në Beograd ka qëllimin që t’i frikësojë shqiptarët e Luginës së Preshevës, sidomos të rinjtë që mos të jetojnë në trojet e tyre. Në një masë edhe ia ka arritur qëllimit”, tha Musliu, ish-nënshkrues i Marrëveshje së paqes në Konçul, në maj të vitit 2001.

UÇPMB ishte një strukturë e organizuar guerile e përbërë nga mijëra vullnetarë shqiptarë. Kjo ushtri funksionoi nga 26 janari 2000 deri në 31 maj 2001, ndërkaq u shpërbë pas një marrëveshjeje paqësore realizuar me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Konkluzionet që dolën nga ajo marrëveshje nuk u implementuan nga Beogradi.

I arratisur në Kosovë për shkak të ndjekjes nga autoritete serbe, Musliu gjykon nga lart zhvillimet në Luginën e Preshevës. Ai tha se nuk ndihet i frikësuar që është dënuar të mërkurën, në mungesë, nga Gjykata e krimeve të Luftës në Beograd, me 5 vjet heqje lirie, sepse shprehet i bindur në pafajësinë e tij dhe të ish- bashkëluftëtarëve.

“Jam i gatshëm në çdo moment që të ballafaqohem me drejtësinë, sepse gjithmonë kam qenë i bindur dhe vazhdoj të jem i tillë për pafajin tim dhe të ish- luftëtarëve të mi”, u shpreh Musliu, i cili pasojat e luftës në Luginë i barti edhe në Kosovë duke u dënuar nga ish-administrata e UNMIK-ut me 12 vjet burg.

Pas një periudhe të gjatë heshtjesh publike, Musliu zgjodhi “Zërin” për të shprehur pakënaqësinë dhe indinjatën kundër padrejtësive që po iu bëhen shqiptarëve etnikë në Luginën e Preshevë, respektivisht ish-guerilëve shqiptarë.

“Si është e mundur që të njëjtit persona njëherë të dënohen më 101 vjet burg e më pas të lirohen nga Gjykata e Apelit në Beograd. Këtu nuk ka asnjë dyshim që gjykimi është politik. Si kanë mundur luftëtarët e UÇK-së të bëjnë krime në një periudhë kur KFOR-i ka qenë i instaluar me mijëra trupa në Gjilan”, shprehet Musliu.

Sipas tij, vendimi i gjykatës serbe i ka konvenuar politikës në Beograd për qëllime të caktuara. Madje ish-udhëheqësi i gueriles shqiptare në Luginën e Preshevës thotë se disa nga të dënuarit as nuk kanë qenë ish- luftëtarë të UÇK-së. “Pa asnjë dyshim, dënimi ka qenë politik dhe i inskenuar nga strukturat serbe”, konsideron ai.

Pavarësisht verdiktit të Gjykatës për krime lufte, Musliu iu bëri thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës, veçanërisht të rinjve, që të qëndrojnë në trojet e tyre. “Ideja e Beogradit është që të ndikojë në shpërnguljen nga Lugina, por mesazhi im është që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre. Dhe besoj që popullata është e vetëdijshme për këtë”, shprehet ai.

Musliu përmendi edhe një skenar tjetër që e ka aplikuar regjimi serbe, veçanërisht kryeministri aktual Ivica Daçiq, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Bujanoc. “Daçiq arrestoi disa shqiptarë me qëllim që t’i frikësojë votuesit, por kjo iu kthye bumerang. Shqiptarët u mobilizuan dhe e fituan Bujanocin…”, tha ai.

Megjithatë ish-komandanti i gueriles shqiptare ka vërejtje themelore ndaj lidershipit shqiptar në Luginë. Ai kërkon që në këto kohë të vështira liderët partiakë të bashkohen, duke i lënë anash urrejtjet partiake. “Është e palogjikshme që komuna e Bujanocit e dominuar nga shqiptarët, të bashkadministrohet me serbët. Kërkoj që liderët politikë atje të unifikohen”, tha Musliu.

Ndryshe, të mërkurën, Gjykata e Lartë për krime të luftës në Beograd ka dënuar 11 qytetarë të Luginës së Preshevës me gjithsej 116 vjet burgim. Ky grup, i apostrofuar si “Grupi i Gjilanit” është akuzuar për krime ndaj serbëve dhe joshqiptarëve gjatë luftës në Kosovë. Ndërsa ajo që është më karakteristike në këtë proces, është se Shemsi Nuhiu i ekstraduar nga Zvicra, për të cilin është bërë shumë zhurmë, është shpallur i pafajshëm.

SHPËRNDAJE