Disa ceremoni varrimi janë duke u zhvilluar në Iran më 21 maj, për vdekjen e presidentit Ebrahim Raisi, ministrit të Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian dhe të tjerëve që humbën jetën nga rrëzimi i një helikopteri në fundjavë.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i shpalli pesë ditë zie të hënën.

Në Tabriz, kryeqytetin e Provincës Azerbajxhani Lindor të Iranit, ku u rrëzua helikopteri më 19 maj, mijëra njerëz morën pjesë në një ceremoni në kujtim të të vdekurve.

Ndërkohë, agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA, e postoi në rrjetin social X fotografinë e parë që shfaq arkivolet e Raisit dhe Amir-Abdollahianit.

Autoritetet iraniane i kanë caktuar edhe disa ceremoni të tjera për Raisin. Një e tillë është caktuar për të martën pasdite në qytetin Qom.

Ceremoni të tjera do të mbahen në Teheran dhe Birjand më 22 dhe 23 maj, kur Raisi do të varroset në faltoren Imam Reza në qytetin e shenjtë Mashhad, raportuan mediat iraniane.

Khamenei e emëroi Mohammad Mokhberin, i cili shërbeu si zëvendëspresident i Raisit, në detyrën e presidentit të përkohshëm.

Koha e tij si president do të jetë e shkurtër, pasi autoritetet kanë caktuar 22 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale.

Mokhber, së bashku me kryetarin e Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, dhe kryetari i Gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni-Ejei, do t’i organizojnë zgjedhjet e reja.

Zëvendësministri i Jashtëm, Ali Baqeri Kani, u emërua ministër i Jashtëm në detyrë, sipas mediave iraniane.

Pasi televizioni shtetëror iranian raportoi më 20 maj se helikopteri ishte rrëzuar për shkak të motit të lig, ekipet për kërkim dhe shpëtim i gjetën trupat e Raisit dhe Amir-Abdollahian në vendin e ngjarjes në veriperëndim të Iranit.

Komunikimi kishte humbur derisa helikopteri po kthehej në Tabriz, pasi Raisi kishte marrë pjesë në përurimin e një dige me homologun e vet azerbajxhanas, Ilham Aliyev, në kufirin e tyre të përbashkët.

IRNA raportoi se të gjithë tetë njerëzit në bordin e helikopterit, të cilin Irani e kishte blerë në fillim të viteve 2000, humbën jetën.

Ndërkaq, Uashingtoni tha se për herë të parë Teherani ka kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara për incidentin me helikopter, por e kishte të pamundur t’i ofronte ndihmë për arsye logjistike.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, nuk specifikoi se si ishte bërë kërkesa apo e çfarë natyre ishte. SHBA-ja dhe Irani nuk kanë raporte diplomatike.

Qeveritë e huaja, më 20 maj, shprehën ngushëllime dhe solidarizim. Libani shpalli tri ditë zie për të nderuar Raisin. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Raisi dhe Amir-Abdollahian ishin të dy “miq të vërtetë dhe të besueshëm të vendit tonë”.

Hamasi, i cili është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, lëshoi një telegram ngushëllimi dhe falënderoi Raisin për “përpjekjet e tij të palodhura për t’u solidarizuar” me popullin palestinez.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, lëshoi një deklaratë me “ngushëllime të sinqerta”, duke shtuar “mendimet tona janë me familjet”./REL/

SHPËRNDAJE