Prishtine, janar  (PARIM OLLURI) Insajderi ka vendosur që humanistin Halil Kastrati ta shpall “Person i vitit 2018”. Arsyet se pse e meriton Halil Kastrati këtë epitet janë të shumta. Nuk ka një të dytë që e konkurron për punën e bërë në të mirë të shoqërisë, gjatë vitit 2018. Familjet në nevojë kanë vuajtur me vite mos përkrahjen nga bamirësit. Numri i shoqatave mashtruese që keqpërdorin paratë e bamirësve është i madh. Por, Halil Kastrati i ka bindur njerëzit e vullnetit të mirë që të ndihmojnë. Nuk ka keqpërdorur asnjë cent dhe gjërat kanë ndryshuar për mirë. Tash, është rritur numri i bamirësve dhe familjeve skamnore po iu bëhet zgjidhje. Halili është shndërruar në hero për ta. Ai është fytyra e shpresës për njerëzit në nevojë.

 

Halil Kastratin e takuam të premten. E kishim lënë për të drekuar së bashku. E thirra për t’ia kumtuar dy lajme

Ai erdhi bashkë me ekipin e tij, prej gati dhjetë vetash.  Telefoni i tij nuk ndalonte nga thirrjet. Nuk i mbyllte askujt telefonin. Sa herë që lajmërohej, zhvillohej një bisedë e zakonshme.  Ishte donator ai që e thërriste.

Gjatë kohës sa Halili fliste me njerëzit bamirës në telefon, Besarti, 22 vjeçar, që rrinte në krahun e djathtë të tij, mbante shënime. Shumat ishin herë të vogla e herë të madhe. Nuk i komentonin asnjëherë ato. Gëzimi i ekipit të Halilit ishte i njëjtë.

“Ka pasur raste kur bamirësit na kanë dhënë me mijëra euro vetëm brenda një ore. Na ndalin në rrugë dhe na nderojnë”, tregonte Halili, i cili ndërpritej nga të rinjtë e shoqatës “Jetimët e Ballkanit”, që ishin entuziast për të plotësuar rrëfimin e drejtorit të tyre.

 

 

Halili dhe grupi i tij nuk arritën të hanë drekë rahat. Ishin të zënë duke iu përgjigjur thirrjeve të bamirësve. Kisha bindjen se do të ankoheshin për këtë. Por, ishte e kundërta.

Halili tregonte se është hera e parë që drekojnë ulur për kohë të gjatë. Me ditë të tëra kishin drekuar në këmbë.

“Duhet të takojmë njerëzit që na thërrasin për të na ndihmuar”, tregonte Halili. Përkushtimi i tij ndaj kësaj pune i është vlerësuar.

 

 

Ai admirohet nga të gjithë.  Edhe gjatë drekës në Prishtinë, në restaurantin “Shpija e Vjetër”, shihej si një hero. Dreka ende nuk kishte përfunduar. Një përballje mes njerëzve kishte nisur. Kamarierët ishin nën presion nga kërkesat e myshterinjve për t’ia paguar drekën atij. Ju tregova që është mysafir i imi. Por, ishte një beteje e humbur. Pronarët e restuarantit nuk pranonin që dreka të paguhej.

Halili shkoi që t’i falënderohej. Ai nuk ishte i gëzuar për drekën, por për diçka tjetër që i kishte thënë pronari i “Shpija e Vjetër”.

“Me premtoj që do të na ndihmoj në blerjen e një banese për skamnor”,  më tregonte Halili, posa dolëm nga aty. Ai i gëzohej shumë besimit që kanë njerëzit në të dhe shoqatën që drejton. Tregonte se e kishte vuajtur imazhin e keq që e kanë shoqatat në Kosovë.

 

 

SHPËRNDAJE