Christopher Hill, i emëruari për postin e ambasadorit të ardhshëm amerikan në Serbi tha sot se do t’i bëjë presion Serbisë për rastin e vëllezërve Bytyqi të cilë u ekzekutuan në mënyrë barbare derisa ishin në paraburgim nga policia serbe.

Hill duke dëshmuar para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë tha se një nga përparësitë e tij kryesore do të jetë siguria e amerikanëve dhe personelit amerikan.

“Unë do të vazhdoj përpjekjet tona të gjata për të nxitur hetimin e plotë për vrasjen në vitin 1999 të vëllezërve Bytyqi, tre shtetasit amerikanë të ekzekutuar ndërsa ishin në paraburgim nga policia serbe. Unë jam i përkushtuar që t’i bëj presion qeverisë serbe që të sigurojë që personat e përfshirë të vendosen para drejtësisë”, tha ai.

Gjithashtu Hill e paraqiti çështjen e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, si një nga përparësitë që do të ndjekë nëse konfirmohet për postin e ambasadorit të Serbisë. /voa

SHPËRNDAJE