Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka deklaruar se Shqipëria ndodhet jashtë hartës problematike të krimit të organizuar. Duke folur në konferencën “Praktikat më të mira në drejtësinë kriminale”, Halimi theksoi se Shqipëria nuk është më një vendstrehim për bandat dhe krimin e organizuar.

“Sot është një ditë ku gjyqtarët kanë të drejtë të krenohen për një kontribut historik që kanë dhënë në luftën kundër krimit të organizuar. Sot falë policisë shqiptare, vendi ynë nuk është më strehim për krimin e organizuar dhe bandave. Është detyrë e çdo qeverie që të hartoj paketa ligjore për të luftuar krimin e organizuar dhe të fitojë betejat me të” theksoi Halimi.

Sipas Halimit, një tjetër sukses kundër krimit të organizuar është miratimi i ligjit anti-mafia ku janë sekuestruar asetet e grupeve kriminale. “Që të luftosh krimin duhet ta godasësh atje ku i dhemb më shumë, tek pasuria. Vlera e pasurive është 20 milionë euro që i janë marrë krimit dhe ia dhënë shtetit duke bërë të mundur konsolidimin e shtetit në Shqipëri. Janë me dhjetra troje që janë sekuestruar. Vetëm pas miratimit të ligjit anti-mafia është rritur me 200 përqind numri i aseteve kriminale të sekuestruara” ka shtuar më tej Halimi.

SHPËRNDAJE