Betim Gjoshi, zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës me anë të një postimi të tijin në facebook, ka hedhur akuza ndaj kryeministrit të vendit, se e ka sjelle në një nivel të turpshëm pozitën e kryeministrit të Kosovës, duke u marrë me fjalë të kafeneve. Këto akuza z. Gjoshi i ka bërë duke e komentuar një paraqitje në gjuhën serbe të kryeministrit të vendit, z. Albin Kurti, ku ky i fundit me të “dëgjume” thotë se Jabllanoviq ka marrë rrethë 1 milion euro dhe 2 apartmente në Beograd në mënyrë që të tërhiqet nga zgjedhjet locale, në veri të vendit.
Ja postimi i z. Gjoshi:
ALBIN KURTI, KY DEGRADUES I MADH I POSTIT TË KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS
Albin Kurti, gjatë opozitarizmit të tij e kishte rrotulluar Kosovën në kërkim të shkarkimit të Aleksandër Jabllanoviqit, i cili i kishte fyer rëndë nënat nga Gjakova.
Por, tani si kryeministër, deklaroi se ka qenë i gatshëm që ta pranonte të njëjtin Jabllanoviq si kryetar të Leposaviqit.
Ende pa u bërë një javë nga deklarata e mësipërme, Kurti, siç e pranoi edhe vet, bëri një paraqitje skandaloze duke u mbështetur në thashetheme dhe jo në fakte. Kjo qasje joserioze e Kurtit, i dha mundësinë Jabllanoviqit që të tallet publikisht me të.
Deklarata e sotme e Kurtit e degradon postin e kryeministrit dhe e bënë zyrën e tij një institucion që mbështetet në thashetheme e fjalë të kafeneve.
Gjithashtu, kjo deklaratë, fyen punën e institucioneve tjera shtetërore dhe sidomos atyre të sigurisë/drejtësisë.
Në fakt, e gjithë karriera politike opozitare e Kurtit është e mbështetur në thashetheme të tilla, konspiracione e shpifje për kundërshtarët politikë shqiptar.