Trajneri Lëv i ka dorëzuar skuadrës rregulloren gjatë grumbullimit në Euro 2012

Harrojeni kombin me rregulla strikte. Gjermania në Euro 2012 paraqitet si përfaqësuesja me rregullat më tolerantë, madje deri diku edhe të papritur. Trajneri Joakim Lëv nuk ka ndërmend që ta shndërrojë grumbullimin e “Panzerave” në një manastir.

Drejtuesi i stolit I ka dorëzuar futbollistëve rregulloren që duhet të zbatojnë gjatë Kampionatit Europian dhe për çudinë e të gjithëve stafi teknik ka lejuar konsumimin e birrës, lojtarët duhanpirës mund të ndezin disa cigareve pa qenë e nevojshme të fshihen, ndërsa seksi nuk është tabu dhe ata mund të qëndrojnë pranë bashkëshorteve apo partnereve.

Megjithatë, nuk mungojnë edhe disa kushte, në mënyrë që askush të mos abuzojë me tolerancën. “Veset” janë të lejueshme, por të moderuara dhe kjo për të evituar rrezikun që lojtarët të abuzojnë me lëshimet e bëra.

Sipas rregullores së publikuar nga e përditshmja “Bild”, 23 lojtarët do të kenë mundësi të qetësohen dhe të mos jenë nën presion. Pas çdo ndeshje, bashkëshortet dhe partnered e tyre do të lejohen të qëndrojnë në hotelin ku është grumbulluar ekipi. Por, menaxheri i “Mannschaft”, Oliver Bierhof ka bërë të ditur se ende nuk është vendosur nëse ato do të lejohen të qëndrojnë në hotel edhe gjatë natës.

Pas ndeshjeve dhe stërvitjeve, sportistët mund të dalin për një shëtitje gjatë mbrëmjes, megjithatë ajo duhet të zgjasë një orë dhe të gjithë të jenë në hotel në orën 23.00 dhe asnjëherë pas mesnate. Alkooli nuk është i ndaluar dhe të gjithë lojtarët që e pëlqejnë birrën mund ta konsumojnë pa e tepruar.

Madje, nëse diskuh do të pijë një cigare, kjo nuk do të shihej si tragjedi, megjithatë paketat dhe çakmakët nuk lejohen në tavolinën e ngrënies apo në mbledhjet teknike. Gjithsesi, ky tolerim i fundit duket i llogaritur, pasi nga e gjithë skuadra gjermane, vetëm portieri rezervë Tim Vise njihet si duhanpirës.

Gjithashtu lojtarëve u lejohet të përdorin rrjetet sociale “facebook” apo “twitter”, por aty nuk duhet të flasin për çështje taktike, apo të ofendojnë gjyqtarët dhe kundërshtarët.

SHPËRNDAJE