Dhjetë deri në dy javët e parë, duke filluar nga dita që u shtrua në spital, do të jenë të rrezikshme për jetën e ish-liderit të PDSH-së, Arbën Xhaferi, i cili prej pesë ditësh mbahet në përkujdesje intensive në klinikën e neurokirurgjisë në Shkup. Specialisti Vlladimir Mirçevski, njoftoi se gjatë kësaj periudhë nuk do të mund të realizohet as edhe ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa tha se gjendja shëndetësore e Xhaferit mbetet e pandryshuar, por vlerësohet si stabile dhe pa komplikime. “Nuk ka përmirësim, s’ka asnjë ndryshim për momentin. Për të paktën dhjetë ditë deri dy javë rrezikohet si periudhë e rrezikshme për jetën, ndërsa më pas mund të shpresojmë në përmirësime të dukshme. Për momentin, nuk ka ndryshim, por gjendja mbetet stabile dhe pa përkeqësime. Në këtë situatë nuk mund as të diskutojmë për kirurgjikale, ndërsa vetëm pas dy javëve mund të shpresojmë në diçka më mirë”, tha doktor Mirçevski, transmeton BW.

Ekipi i specialistëve në Klinikën e neurokirurgjisë në Shkup, e cila drejtohet nga profesori universitari, specialist Vlladimir Mirçevski, mbikëqyr 24 orë ish-kryetarin e PDSH-së, Arbën Xhaferi, i cili ndodhet në përkujdesje intensive dhe merr me rregull terapinë e nevojshme.

Xhaferi të mërkurën rreth orës 21, u gjet në gjendje kome në banesën e tij në Tetovë pas një gjakderdhje masive në tru.

SHPËRNDAJE