Kreu i qeverise shqiptare, Sali Berisha ka reaguar ashper per situaten e krijuar ne veri te Kosoves dhe tensionin pas vrasjes se policit. Ne nje deklarate per mediat, Berisha ka denuar ashper dhunen e njeanshme, duke e cilesuar ate te papranueshme dhe ka theksuar se “fantazma e Serbise se madhe paraqet ende rrezik per paqen dhe stabilitetin ne rajon”.

“Mbështesim operacionet e qeverisë së Kosovës dhe dënojmë aktet kriminale të fallangave të serbo-mëdhenjve në kufirin verior. Dënojmë vrasjen e një oficeri të policisë, sulmin e armatosur ndaj njësive të KFOR-it dhe i konsiderojmë këto akte dëshmi se fantazma e Serbisë së Madhe paraqet rreziqe për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha Berisha.

Ai ka dhene mbeshtetjen e plote te qeverise se drejton per Prishtinen zyrtare, duke vleresuar embargon e qeverisë së Kosovës ndaj produkteve serbe, jo sepse është kundër lëvizjes së lirë të mallrave, njerëzve, por se ky është një vendim i imponuar prej qeverisë serbe.

Ai ka apeluar per dialog mes dy vendeve dhe nje zgjidhje te shpejte e te paqte te situates.

Me poshte deklarata e plote

Qeveria e Shqipërisë po ndjek me shqetësim provokimet e rrezikshme të bandave të serbomëdhenjve në kufirin verior të Republikës së Kosovës. Duke mbështetur plotësisht të drejtën dhe vendimet e qeverisë së Republikës së Kosovës për garantimin e rendit kushtetues, integritetit dhe kontrollit të plotë të territorit të saj, qeveria e Republikës së Shqipërisë dënon aktet kriminale të fallangave të serbomëdhenjve në vendkalimet në kufirin verior të Republikës së Kosovës, vrasjen e oficerit të forcave speciale të Kosovës, djegien e ndërtesave të doganave dhe sulmin e djeshëm të armatosur ndaj njësive tokësore dhe ajrore të KFOR-it në vendngjarje, të gjitha këto të mbështetura, të frymëzuara, të paguara nga qarqe ultra nacionaliste të Beogradit.

Qeveria shqiptare deklaron se flakët e zjarrit dhe tymi në ndërtesat zyrtare në vendkalimet kufitare, në kufirin verior të Republikës së Kosovës, vrasja e oficerit të forcave speciale të saj, sulmi i armatosur ndaj njësive të KFOR-it në vendngjarje, dëshmojnë qartë se fantazma e Serbisë së madhe paraqet sërish rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Qeveria shqiptare mbështet plotësisht autoritetet dhe popullin e Kosovës, KFOR-in dhe autoritetet ndërkombëtare në Kosovë, për vendosmërinë e tyre për garantimin e rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe vendosjen në kontroll të plotë në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e vendit të të gjitha vendkalimeve kufitare të kësaj Republike. Ne jemi të bindur se çdo përpjekje për dhunim të integritetit, territorit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës do të marrë përgjigjen e merituar. Qeveria shqiptare, ndonëse është për lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve dhe ideve dhe kundër çdo lloj embargoje, mbështet plotësisht vendimin e qeverisë së Kosovës, bazuar në parimin e reciprocitetit, për ndalimin e hyrjes se mallrave serbe në Kosovë, si vendim tërësisht i imponuar nga embargoja disa vjeçare serbe për mallrat e Kosoves. Ne jemi të vendosur t’i japim Kosovës të gjitha lehtësirat portuale dhe të tjera, për të përballuar embargon e Serbisë ndaj saj, me pasoja sa më të vogla.

Qeveria shqiptare i bën thirrje qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë të marrin të gjitha masat për uljen e tensionit dhe krijimin e kushteve për suksesin e dialogut dhe negociatave, në kuadrin e procesit të Brukselit, si proces midis palëve të barabarta, tejet i rendësishëm për vendet e tyre, paqen dhe stabilitetin në rajon. / b.s

SHPËRNDAJE