Partia Socialiste feston të dielën 20-vjetorin e krijimit të saj. Për këtë ditë, selia rozë ka marrë të gjitha masat që të dielën pasdite, në hotel “Sheraton”, të ftojë një numër jo të vogël, mbi 700 veta, në një ceremoni festive. Një ftesë të veçantë ka marrë ai që njihet nga të gjithë si themeluesi apo ai që mori drejtimin e partisë së re që doli pas Kongresit të qershorit 1991.Fatos Nano dhe disa personalitete të larta të kësaj partie ndër vite, si ish-sekretari i Përgjithshëm dhe nënkryetari i saj e më pas kryetar i Kuvendit, Servet Pëllumbi, ish-presidenti Rexhep Meidani, njeriu që bëri kthesën në kongresin e themelimit të PS, shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, kanë marrë ftesa të veçanta për të qenë të pranishëm në këtë ceremoni festive. “Me rastin e 20 vjetorit të krijimit të PS, kam kënaqësinë t’ju ftoj në ceremoninë festive që do të organizohet në hotel “Sheraton”, ditën e diel, dt.12.06.2011″, thuhet në ftesën zyrtare të dërguar e firmosur nga kryetari Edi Rama. Të ftuar në ceremoninë festive të 20 vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste janë ish-deputetë socialistë, ish-kryetarë bashkish dhe komunash, por edhe ata aktualë të konfirmuar në zgjedhjet e 8 majit. Gjithashtu, të ftuar janë ish-prefektë dhe të mandatuar socialistë ndër vite në postet administrative dhe politike. Nuk janë lënë jashtë liste dhe personalitete akademike, Ylli Popa, Arben Puto etj., kostitucionalistë, si Luan Omari, Njazi Jaho, juristë, historianë si Kristo Frashëri e shumë të tjerë. Nuk mungojnë në këtë festë dhe trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, por edhe përfaqësues të partive politike pjesë të koalicionit “Aleanca për të ardhmen”.

Ftesat

Mësohet se ftesa i është dërguar Fatos Nanos përmes një miku të tij dhe ka rënë në dorë të ish-kreut socialist. Nuk dihet nëse Nano do të jetë prezent të dielën. Pas zgjedhjeve të 8 majit, për herë të parë, kryesocialisti Rama ka risjellë në vëmendje paraardhësin e tij, Fatos Nano, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për rezultatin e Tiranës. Duke shprehur rezervat e veta ndaj kredibilitetit të gjykatave, Rama tha në një komunikim me mediat se “këto gjykata çuan në burg kryetarin e opozitës”. Nano, që pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës në korrik 2007, është vënë në shënjestër të akuzave të Edi Ramës, duke vënë shenjën e barazimit mes tij dhe Sali Berishës. Në jo pak raste, veçanërisht në zgjedhjet e pushtetit vendor 2007, por edhe ato parlamentare të 2009, Nano është inkuadruar nga Rama në treshen e së keqes së vendit, bashkë me kreun e maxhorancës, Berisha, dhe kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Pjesëmarrësit në këtë ceremoni festive do të jenë nga fusha të ndryshme. Një pjesëmarrje e tillë, me mbi 700 veta, nuk jep mundësi për ndonjë spektakël në festim, por pritet që të ketë një fjalë përshëndetëse të kryetari Edi Rama, i cili pritet që ta lidhë këtë moment dhe me situatën aktuale politike pas 8 majit dhe të ardhmen e Partisë Socialiste. Ftesa ka mbërritur edhe te deputetët që kanë dalë kohët e fundit kundër vendimit politik të grupit parlamentar, si Kastriot Islami dhe Andis Harasani, të cilët kanë qenë prezent në seancat parlamentare pas zgjedhjeve të 8 majit, kur grupi i deputetëve vendosi marrëdhënie të “ngrira” me Kuvendin. Ceremonia festive e 20 vjetorit të krijimit të PS zhvillohet një muaj pas zgjedhjeve administrative të 8 majit, e kur rezultati i Tiranës ka mbetur dyerve të Gjykatës së Apelit.

Rama dhe deputetët festuan 19-vjetorin e PS-së në Lezhë

Vitin e kaluar, ndryshe nga herët e tjera, festa e krijimit të PS u zhvillua në Lezhë. Ishin deputetët e këtij qarku e kryesisht Gjovalin Kadeli i cili pas disa takimesh që Rama zhvilloi në Shkodër dhe Lezhë, mblodhi të gjithë deputetët që shoqëronin Ramën në këto takime në një lokal në qendër të Lezhës, ku festuan dhe festën e themelimit të PS. Festa u zhvillua vetëm pak ditë pasi deputetët socialistë kishin mbyllur grevën e 20 ditore të urisë para godinës së Kryeministrisë. Surpriza e parë e mbrëmjes ishte mbërritja enkas nga Italia e këngëtares së njohur Elsa Lila. Elsa vinte në këtë mbrëmje si një ish-greviste urie, e cila qëndroi rreth 10 ditë bashkë me të gjithë grevistët në çadrën e ngujimit përpara godinës së Kryeministrisë. Këngëtarja e njohur ishte e ftuar për vetë raportet miqësore që ajo kishte krijuar me grevistët nga qarku i Lezhës gjatë qëndrimit të saj në të. Pas Elsës, një tjetër surprizë e këndshme për të pranishmit ishin edhe humoristët e “Portokallisë”, Salsano Rrapi dhe Gjini, të cilët improvizuan në sallë me kryetarin socialist intervista dhe rreth fushës së pikturës, të cilat kanë sjellë një tjetër atmosferë gjatë darkës festive. Por, surprizat nuk mbaronin këtu, gjatë gjithë mbrëmjes kantautori lezhjan Mark Gjoka ka shoqëruar me muzikën e tij deputetët dhe kreun socialist, duke e bërë atmosferën jashtë çdo nuance formaliteti. Të pranishëm në atë festë ishin edhe grevistët e urisë së qarkut Lezhë dhe të zgjedhurit e PS në komuna dhe bashki të këtij qarku u bashkuan në restorant “Dashi” në qendër të qytetit. Por, në të gjithë vendin, deputetët e zonave respektive u mblodhën bashkë me strukturat për të kujtuar 12 qershorin e 1991, kur u krijua Partia Socialiste.

Më pak festime pas 2005

Që prej ardhjes së Edi Ramës në krye të PS, përvjetorët e saj ose janë festuar në ambiente të ngushta, dhe jo me pjesëmarrje të madhe, ose nuk janë festuar fare. Vetëm në vitin e parë të drejtimit të PS, në lokalin prapa Partisë Socialiste te restorant “Austria”, ku morën pjesë anëtarë të forumit rinor socialist dhe anëtarët e rinj të asamblesë socialiste, të cilët sapo ishin zgjedhur pas kongresit të atij viti. Një vit më vonë, Rama do të festonte në Korçë, ku mori pjesë në një aktivitet. Festa që mbahet mend është ajo e qershorit 2009, në përfundim të fushatës zgjedhore, kur në amfiteatrin e Liqenit socialistë festuan e kënduan e madje edhe prenë tortën e 18 vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste.

Më shumë se 700 të ftuar

Selia rozë ka ftuar në ceremoninë festive të së dielës më shumë se 700 të ftuar. Burime pranë Partisë Socialiste pohuan dje se të ftuarit i përkasin jo vetëm politikës, por edhe fushave të ndryshme të jetës social kulturore, shoqërisë civile etj. Dhe pse programi i aktivitetit mbahet sekret nga organizatorët, mësohet se do të ketë një fjalë të rastit të kryetarit socialist Rama, por dhe një përshëndetje të një prej personaliteteve të PS ndër vite. Të pranishëm pritet të jenë dhe përfaqësuesit kryesorë të trupit diplomatik në Shqipëri, ndërsa organizatorët janë munduar që listës së të ftuarve të mos i mungojë asnjë nga figurat e njohura dhe pak të njohura të mandatuara të Partisë socialiste. Ish-deputetë, ish-kryetarë bashkish dhe komunash e prefektë do të jenë në këtë festë. /Panorama

SHPËRNDAJE