donnnPërgjimet, të cilat për çdo ditë po publikohen në media kanë shtyrë Lëvizjen Vetëvendosje që sërish të organizojë një konferencë për media me temën përgjimet e fundit.

Ylli Hoxha nga kjo Lëvizje tha se përgjimet që u publikuan dje dëshmojnë edhe një fakt sipas tij “shqetësues që ‘Klani Pronto’ ka shtuar kontrollin edhe ndaj Policisë së Kosovës”.

“Hierarkia është e qartë;  kriminelët e ‘Klanit Pronto’ janë edhe kryetar gjykatave edhe të prokurorive por edhe të televizionit publik. Mafiozët gjithmonë ushtrojnë më lehtë veprimtarinë kriminale kur kanë mbështetjen e Policisë”, tha Hoxha.

Ai tha se dorëheqja e Adem Grabovcit nuk mjafton por duhet mobilizim i qytetarëve që Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi të japin dorëheqje.

Në këtë konferencë anëtarja e Vetëvendosjes Donika Kadaj- Bujupi tha se me publikimin e përgjimeve të fundit  u konfirmua edhe manipulimi me veteranët.

“PDK dhe ‘Klani Pronto’ për interes të votave kanë abuzuar  me vlerat e veteranëve. Pasojat e këtij klani janë të mëdha për Kosovën. Ky është një krim që nis nga krerët e shtetit dhe nuk mjaftohet vetëm me një dorëheqje”, tha Kadaj-Bujupi.

Ajo ka ftuar qytetarët që më 1 shtator të mblidhen në sheshet e Prishtinës sepse siç tha ajo “kjo është mënyra e vetme që ta ndalim këtë klan”.

Ylli Hoxha beson se protestat e 1 shtatorit do ta ndalin ratifikimin e Demarkacionit pasi që sipas tij është dëshmuar se protestat e vitit që shkoi kanë penguar jetësimin e dy marrëveshjeve, ajo e Asociacionit dhe Demarkacionit.

SHPËRNDAJE