Bashkëpunimi LDK-Vetëvendosje filloi dy vite më parë kur koalicioni PANA i krijoi votat për të formuar qeverinë. Sa ishin në opozitë, të dy partitë paralajmëruan edhe mocion për ta dërguar në shtëpi Ramush Haradinajn. Tash një ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme VV ka dalë e para duke e lënë pas LDK me vetëm pak vota. Një marrëveshje e pa shkruar në mes të dy partive për koalicion pas zgjedhor thoshte se ajo që del e para pas gjashtë tetorit do të marrë kryeministrinë, raporton Gazeta Express.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje, apo të dy liderët që udhëheqin këto parti, i patën disa tentativa që dështuan për të krijuar koalicion parazgjedhor. Kjo pasi që asnjë nga të dyja nuk lëshoi pe lidhur me atë se kujt do t’i takonte posti i kandidatit për të parin e qeverisë.

Derisa dështuan që të shkojnë bashkë në zgjedhje të jashtëzakonshme, i pari i LDK-së, Isa Mustafa e ai i VV-së, Albin Kurti lanë të nënkuptohet e edhe deklaruan se bashkëpunimi i tyre vazhdon pas gjashtë tetorit, një ditë pasi që sovrani të vendosë së kush do të dalë partia e parë.

Në këtë ditë, kur Vetëvendosja ka fituar me jo shumë diferencë kundrejt LDK-së, një marrëveshje e tillë ende nuk ka filluar të diskutohet.

Se partisë që del e para pas zgjedhjeve do t’i takojë pozita e kryeministrit, e pati thënë edhe kandidatja e LDK-së, për kryeministre Vjosa Osmani.

Edhe pse shprehej e bindur se do të dalë e para nga zgjedhjet, Vetëvendosjen në të gjitha deklarimet publike e pa si mundësi të vetme për koalicion pas zgjedhor.

E njejta kishte deklaruar në Emisionin Pressing në T7 se një qeveri LDK-VV do të udhëhiqej nga ai që del i pari në zgjedhje.

“Shumë e thjeshtë, kush i fiton zgjedhjet e fiton pozitën e kryeministrit dhe ne do t’i fitojmë zgjedhjet kështu që natyrisht që edhe ne do ta udhëheqim qeverinë”, kishte deklaruar Vjosa Osmani.

Osmani pati deklaruar gjithashtu se asaj i takon e drejta për të biseduar për koalicione, pasi që e njëjta mban edhe pozitën e nënkryetares në parti.

Albin Kurti ndërkaq, kreu i Vetëvendosjes, disa herë në paraqitjet e tij publike kishte deklaruar se pozita që do të mbajë Vjosa Osmani pas 6 tetorit është ajo e kryetarit të Kuvendit. Kështu kishte deklaruar ai edhe në emisionin Pressing në T7.

“Nuk e konsideroj aspak të mirë kur vjen në politikan dhe kurrë pa e diskutuar një çështje të tillë me mua, këto janë çështje që debatohen, mund të dalë dhe të vendosë për mua, e para sepse këtë e konsideroj si një injorim të vullnetit të qytetarëve dhe e dyta tregon një mendësi vërtetë të ulët. Krye parlamentari nuk është çështje nominimi por është çështje vote, ne synojmë që ta udhëheqim qeverinë e pastaj do të ulemi bashkë me të dhe ai e di që mund të ketë besim në LDK sepse është parti që asnjëherë nuk i ka shkelë marrëveshjen, dhe do të merremi vesh cila do të jetë ajo pozitë  e tij, coftë si krahu im i djathtë në qeveri, coftë duke marrë një dikaster, por, kjo do të varet nga votat”, kishte deklaruar Osmani në T7 derisa kishte komentuar deklaratat e Albin Kurtit.

SHPËRNDAJE