Një biznesmen me aktivitet në industrinë minerare dhe inerte ka përfunduar në pranga me akuzën e pastrimit të parave dhe fshehjes së të ardhurave, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 3.7 milionë USD.

Vait Tarja, pronar i shoqërive U & E, Managment, Alba-Clean dhe Silvio, është arrestuar në Tiranë nga një operacion i përbashkët i Drejtorisë kundër Krimit Financiar, Drejtorisë së Operacioneve Speciale në Policinë e Shtetit dhe forcave të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Më herët Gjykata e Elbasanit kishte caktuar masën e arrestit me burg për Tarjan, në bazë të një hetimi gati 1 vjeçar të prokurorisë së këtij rrethi.

Sipas zëdhënëses së policisë së shtetit, Tarja, akuzohet për veprat penale të “Shpërdorimit të kompetencave”, “Fshehjes së të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, pasi dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme një shumë të konsiderueshme prej 3.705.555 USD, të cilën ka tentuar ta investojë në biznese të ligjshme, duke konsumuar kështu dhe veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Gjatë ushtrimit të veprimtarisë të shoqërisë “U&E Managemant” sh.p.k. në shtator të vitit 2010 është realizuar një shitje në një vlerë prej 3.705.555 USD, shitje kjo e padeklaruar në organet tatimore.

Të gjithë këtë shumë të përfituar në mënyrë të paligjshme Tarja ka tentuar të investojë në biznese të ligjshme, duke krijuar dhe Shoqëri të ndryshme.

SHPËRNDAJE