Politikani dhe veprimtari nga Tetova Bardhyl Mahmuti i është përgjigjur pretendimeve të një personi se në fotografinë e publikuar në media këto ditë nga demonstratat e kosovës të vitit 1981 nuk është Mahmuti, porse babai i personit nga familja Kashtanjeva.

 

 

Në vazhdim letra e Bardhyl Mahmutit:

“Para disa ditësh më ka kontaktuar në Facebook një person me emrin Ajshe Kashtanjeva Lalinovci.

Duke dëgjuar akuza se paskam përvetësuar fotografinë e babait të saj të demonstratave mendova se persona anonim tentojnë të tallen më këtë çështje. Për këtë arsye e kam ndërprerë komunikimin dhe ia kam bllokuar mundësinë të komunikojë me mua përmes Facebook-ut . Por, meqenëse portali Agjencia INA, Botoa Sot dhe media të tjera publikuan letrën e familjes Kashtanjeva dhe shtruan dilemën se «kush është ky person në protestat studentore?» u detyrova të sqaroj me sa vijon :

Fotografia për të cilën pretendojnë se nuk jam unë është njëra nga 16 fotot që kanë qenë si prova materiale kundër meje kur jam arrestuar dhe dënuar më 17 nëntor të vitit 1981 me dënim prej 7 vjet burg.

Fotografia nuk është e demonstratave Ferizajit të marsit të vitit 1989, siç pretendon Familja Kashtanjeva, por e prillit 1981 në Prishtinë.

Fotografia është e demonstratave të vitit 1981 dhe është bërë nga agjentët e UDB-së në udhëkryqin kur del nga Fakulteti Juridik dhe Ekonomik për të shkuar drejt Mensës së Studentëve. Aty ku u përleshëm me forcat policore. Në foto shihen qartë barrierat metalike në afërsi të shitores që në atë kohë kishte emrin «UZOR» e kohëve të fundit ka qenë «Restorant Pizzeria LARISTA» (Flitet se pas renovimit që është duke iu bërë ky lokal do të ketë emrin AURORA).

Fotografia është marrë nga dosja ime penale e vitit 1981 e përgatitur nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës që ndodhet në Arkivin e Kosovës.

Të gjithë ata që më kanë njohur në ato vite të rinisë dhe të gjitha ata që kanë qenë me mua në burgun e Prishtinës, Srekovnicës, Mitrovicës, Pozhrevacit, Shabacit dhe Zajeçarit e dinë fare mirë që në këtë foto jam unë .

Nëse Hagj Kashtanjevës i pëlqen të identifikohet me këtë fotografi ai mund ta zmadhojë dhe ta mbajë në kornizë te shtëpia e vet. Ata mund të bëjnë “analystikën” e fotografisë siç theksojnë në reagimin e tyre dhe ta njoftojnë publikun me rezultate. Nëse rezultatet dalin se në atë foto nuk jam unë (Bardhyl Mahmuti) është mirë që të m’i dërgojnë rezultatet që ta padis shtetin se më kanë dënuar gabimisht në vend të një personi tjetër”, shkruan Mahmuti.

SHPËRNDAJE