bajrush-morina2-474x420Dje nuk kam marrë pjesë në protestë sepse kam arsyet e mia personale e profesionale:

E ato janë:

 

  • Asnjë prej kolegëve protestues, nuk janë solidarizuar me kërcënimet, shantazhet e vrasjet e gazetarëve të gazetës Bota sot dhe nuk kanë shkruar as edhe një shkronjë, as edhe një shkrim për vrasjen e kolegëve të mi Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti, madje nuk kanë pasur as guximin moral që të marrin pjesë në ceremonitë e varrimit të kolegëve të mi Bekimit e Bardhylit, madje na kanë akuzuar për disa vjet se ne po përhapim urrejtje vëllazërore, po fusim përçarje kombëtare, se po akuzonim UÇK-në, etj etj akuza nga më të rëndat.
  • Asnjëherë e as sot nuk dua të përkrah asnjë gazetar që mbi fatkeqësinë e një individi, qoftë ky edhe vëlla i kryeministrit, të ndërtojë një pseudo kauzë kundër pushtetit apo edhe kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, Presidentit…
  • Asnjë analogji nuk mund të ndërtohet mes kërcënimit të një qytetari nga Klina dërguar kryeministrit Isa Mustafa dhe ministrit Arban Abrashi dhe gjoja kërcënimit të kryeministrit Isa Mustafa ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi. Kërcënuesi nga Klina e ka postuar kërcënimin e tij në rrejtin social me fjalë kërcënuese ndaj personave të caktuar, Isa Mustafës dhe Arban Abrashit. Ndërkaq Vehbi Kajtazi nuk posedon asnjë argument për gjoja kërcënimin e kryeministrit Mustafa, përveç një sms-i të cilin gazetari Kajtazi ia ka dërguar kryeministrit Isa Mustafa.
  • Nisur nga kjo analogji, unë e ftoj Kadri Veselin, kryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe ish-shefin e SHIK-ut që mundësisht sot, nesër apo këto ditë të ma bëjë një telefonatë në telefonin tim. Numrin tim e kanë disa prej këshilltarëve të tij. Kadri Veseli bile ka mjaft arsye për një “telefonatë kërcënuese” ndaj meje. Për disa vjet me shkrimet e mia e të kolegëve të mi e kemi akuzuar me fakte e pa fakte për shumë krime të ndodhura në Kosovë. Para se gjithash kam kërkuar nga Luli i atëhershëm i SHIK-ut që të zbardhë vrasjet e pasluftës në Kosovë ose të marrë përgjegjësinë për këto vrasje, për faktin se ishte në krye të një organizate të quajtur Shërbimi Informativ i Kosovës i cili ndër të tjerash do të duhej të merrej me sigurinë në vend, të parandalonte vrasjet apo të merrte përgjegjësinë për këto vrasje.

Nëse Kadri Veseli ma bën këtë telefonatë, unë do t’ia kthej një sms edhe ma të ashpër se sa ai i  Vehbi Kajtazit. Do ta fotografoj këtë sms dhe do ta publikoj në portalin tim. Do ta lajmëroj rastin në Policinë dhe Prokurorinë e Kosovës. Do të lajmëroj rastin në AGPK. Do të kërkoj që të mbahet një protestë para Kuvendit të Kosovës me moton “Fol e mos u tut Kadri!”

…Dhe kështu, do t’ia arrij qëllimit tim komercialo gazetaresk. Oh sa lezet…veç  e kisha hap programin google analitics dhe isha kënaq duke e parë “fluturimin” përpjetë portalin timwww.botapress.info, dhjetëfishimin e klikimeve dhe shumëfishimin e fansave në Facebook.

Prandaj, i nderuari z.Kadri Veseli! Sot, nesër ose kur të kesh kohë ti, mundësisht në orët e vona të natës, ma bën një telefonatë. Thauj çka të duash, në daç më shaj në daç më pyet për planet e mia për pushimet verore. Bojmë llaf e muhabet edhe për disponimin e anëtarësisë së LDK-së për koalicionin me PDK-në, flasim për Ramushin, për Albinin, për Fatmirin, të tregoj edhe për tullat e shtëpisë të cilat m’i kanë falë vëllezërit Geci nga Llausha. Për gjithka bre flasim. Normal nuk ta inçezoj bisedën se devalvohet “kërcënimi” dhe nuk ka efekt reagimi im. Prandaj, sinqerisht po të lutem ma bën një telefonatë…

Në shenj falënderimi nuk do të quajë më Luli i SHIK-ut por Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës!

SHPËRNDAJE