Ballina Sport Armenia përjashton tre futbollistë shkaku i Shqipërisë

Armenia përjashton tre futbollistë shkaku i Shqipërisë

0

Presidenti i Federatës Armene të Futbollit, Ruben Hajrapetjan, ka vendosur që sulmuesi Jura Movsisian, mbrojtësi Robert Arzumanian dhe portieri Gevorg Kasparov, nuk do të grumbullohen më me kombëtaren për sa kohë që ai është në drejtimin e kësaj federate.

Në një intervistë të dhënë për “Football+”, Hajrapetjan konfirmoi se kishte qenë një kërkesë e tij që këta lojtarë të mos ftoheshin në kombëtare nga trajneri i ri, Varuzhan Sukiasian, i cili debuton në drejtimin e përfaqësueses gjatë kësaj jave. Sipas tij, lojtarët nuk kishin shfaqur përkushtimin e duhur në ndeshjet që kanë luajtur me kombëtaren. “Ata kanë shumë cilësi si lojtarë, por kjo nuk do të thotë që ekipi kombëtar duhet të kthehet në një vend argëtimi për këta futbollistë”, deklaroi Hajrapetjan.

Presidenti i Federatës Armene akuzoi lojtarët e tij për tradhti, pas përfundimit të ndeshjeve të Euro 2016, deklarata të cilat u interpretuan gjerësisht si një akuzë trukimi të ndeshjes së fundit në grup kundër Shqipërisë, të humbur me rezultatin 3-0. Ai shpjegoi më vonë se nuk kishte akuzuar lojtarët për trukime, por për mungesë dëshire për të dhënë maksimumin dhe duket se tani ka gjetur tre fajtorë. Futbollistët në fjalë ishin të tre në formacionin titullar gjatë ndeshjes kundër Shqipërisë, por vetëm Movsisian u zëvendësua gjatë pjesës së dytë të takimit, transmeton gazetashqip.

Movsisian (28 vjeç), Arzumanian (30 vjeç) dhe Kasparov (35 vjeç) ishin pjesë e një grupi lojtarësh, të cilët publikuan një letër të hapur kundër drejtuesit të federatës në fundin e vitit të kaluar, duke hedhur poshtë akuzat për mungesë impenjimi. Ndaj largimi i tyre pritet të shkaktojë më tepër kaos në radhët e kombëtares armene të futbollit.

SHPËRNDAJE