Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) ka marrë me shqetësim njoftimet se persona të panjohur kanë kërcënuar se do të hedhin bombë në lokalet e të përditshmes “Express”.

Gjatë gjithë paradites të së mërkurës persona të ndryshëm që janë prezantuar si përfaqësues të naftëtarëve kanë kërcënuar se do të “hedhin gazetën në erë”, pas publikimit të një artikulli ku njoftohet se MTI ka dënuar kompanitë Petrol Company, Baci Kompani, Delta Group, Rek Oil, Agro Kabashi, Usa Sh.p.k, kompania Kastrati dhe NP Pajtimi për cilësi të dobët të karburanteve, thuhet nw reagimin e AGPK-sw.

AGPK i bënë thirrje Policisë së Kosovës, misionit të EULEX-it dhe të gjitha institucioneve tjera të drejtësisë që të zbardhin këto kërcënime.

AGPK dënon fuqishëm këtë akt dhe çdo lloj kërcënimi që iu bëhet gazetarëve për shkak të kryerjes së punës së tyre. AGPK konsideron se kërcënimi i gazetarëve paraqet shkelje të lirisë së shprehjes dhe lirisë së informacionit, të drejta këto shumë të rëndësishme për funksionimin e demokracisë. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE