Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se bashkimi i spektrit të djathtë politik është thelbësor për rikthimin e rolit të LDK-së në shtet dhe për, siç është shprehur ai, “kthimin e pushtetit te qytetarët”.
Këto komente Haziri i bëri pas mbledhjes së rregullt të kryesisë së Degës së LDK-së në Gjilan, ku është funksionalizuar Shtabi i madh për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Sipas tij, ky shtab do të shërbejë për mobilizimin e strukturave dhe qytetarëve drejt një qëllimi të përbashkët politik.
Ai theksoi se ideja e bashkimit të të djathtës nënkupton një angazhim të gjerë, ku çdo qytetar konsiderohet pjesë e këtij procesi deri në arritjen e objektivave të vendosura nga LDK.
Në ditët në vijim, sipas Hazirit, pritet të funksionalizohen edhe shtabet në nivel nëndegësh, ndërsa paralelisht do të intensifikohen aktivitetet në terren përmes Forumit të Rinisë dhe Forumit të Gruas, me qëllim afrimin me qytetarët dhe forcimin e mbështetjes elektorale.
Deputeti i LDK-së gjithashtu ka theksuar rolin e bashkatdhetarëve, duke i cilësuar ata si pjesë të pandashme të historisë dhe të ardhmes së partisë.
Në deklarimin e tij, Haziri u shpreh se LDK i ka mbyllur dhe riafirmuar të gjitha çështjet e brendshme më 31 janar, duke e konsideruar këtë si një moment kyç për konsolidimin e partisë. Ai bëri thirrje për unitet rreth vlerave të LDK-së dhe filozofisë politike të Rugovizmit, si bazë për rikthimin e partisë në skenën kryesore politike.