Prishtinë, 17 prill 2026 – Ndërmarrja Publike “Termokos” SH.A. ka arritur të përmirësojë opinionin e auditimit për vitin 2025, duke kaluar nga një seri prej pesë opinionesh të kundërta në një opinion të kualifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
Ky ndryshim përfaqëson një zhvillim pozitiv për ndërmarrjen, duke reflektuar përmirësime në menaxhimin financiar, kontrollin e brendshëm dhe raportimin e pasqyrave financiare.
Ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Kastriot Bllaca, e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës dhe llogaridhënies.
“Ky rezultat është arritur falë angazhimit të stafit në të gjitha nivelet dhe punës intensive në adresimin e rekomandimeve të auditimit, si dhe përmirësimit të proceseve të brendshme dhe raportimit financiar”, deklaroi Bllaca.
Sipas tij, progresi i arritur është dëshmi e përkushtimit institucional për të ngritur standardet e funksionimit të ndërmarrjes.
Megjithatë, ai theksoi se puna nuk përfundon këtu. Menaxhmenti i Termokos mbetet i angazhuar në zbatimin e rekomandimeve të mbetura, me synimin për të arritur një opinion edhe më të favorshëm në të ardhmen.




