Dark Mode Light Mode

Ademi: 80% të kohës ia kushtoj futbollit, i lutem Zotit ta çojmë Kosovën në Kupën e Botës

Screenshot
Screenshot

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në Podcastin “Kur zemra flet” me humanistin Halil Kastrati, ka folur edhe për zhvillimin e futbollit në Kosovë, sfidat e federatës dhe objektivat për të ardhmen, duke theksuar se përparimi i bërë në një periudhë të shkurtër kohore që nga anëtarësimi në UEFA e FIFA është i jashtëzakonshëm.

Sipas tij, momenti më i rëndësishëm në historinë e futbollit kosovar ishte pranimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare UEFA dhe FIFA në vitin 2016.

“Historia jonë në futboll po shkruhet që nga viti 2016, kur Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA. Që nga ajo kohë kemi filluar të ndërtojmë gjithçka nga fillimi”, tha Ademi.

Advertisement

Ai kujtoi se në momentin e pranimit në këto organizata, Kosova kishte shumë pak infrastrukturë sportive dhe stadiume të përshtatshme për ndeshje ndërkombëtare.

“Kur u pranuam në organizatat ndërkombëtare, ne praktikisht kishim vetëm një stadium funksional. Shumica e fushave ishin të vjetra dhe nuk kishin pasur investime për dekada”, u shpreh ai.

Sipas tij, për këtë arsye federata ka investuar shumë në ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive.

“Federatën e kemi marrë me zero pronë, ndërsa sot vlera e aseteve të saj arrin mbi 68 milionë euro. Kjo është arritur përmes investimeve në fusha, stadiume dhe projekte zhvillimore”, theksoi Ademi.

Ai vlerësoi gjithashtu talentin e madh që ekziston në Kosovë dhe përmendi disa nga futbollistët që sot luajnë në ligat më të forta evropiane.

“Kosova është një vend i vogël, por me talent shumë të madh. Ne kemi futbollistë që sot luajnë në nivelet më të larta të futbollit evropian”, tha ai.

Duke përmendur disa prej emrave më të njohur të kombëtares, ai theksoi rëndësinë e kontributit të tyre për ekipin.

“Amir Rahmani është kapiteni ynë dhe një nga mbrojtësit më të mirë në Itali, dy herë kampion me Napolin. Vedat Muriqi po bën paraqitje shumë të mira në La Liga dhe është një nga figurat kryesore të ekipit tonë. Mandej Edon Zhegrova që luan në Juventus, i cili ka dalë pikërisht nga ky lloç nëse mund të themi ne ashtu, pra nga kjo tokë dhe shumë e shumë të tjerë të cilët për situata të ndryshme, për qëllime të ndryshme kanë ik me familje nga këtu qoftë nga represioni, nga lufta, nga përndjekja apo nga skamja. Sot ata po i kthehen Kosovës në paq, në republikë. Dhe unë e them që uniforma e UÇK-së që e ka çliruar Kosovën sot është kthyer në uniformën e kombëtares të Kosovës dhe kjo uniformë peshon po njësoj.
Ne po e përmbushim amanetin e tyre për ta ngritur në pidestalin më të lartë të mundshëm Kosovën pikërisht me këta djem e me këto vajza të këtyre familjeve”, u shpreh Ademi.

Një rol të rëndësishëm në kombëtare, sipas tij, kanë edhe lojtarët e diasporës që janë rritur dhe zhvilluar në vendet evropiane.

“Shumë prej futbollistëve tanë kanë lindur dhe janë rritur në Evropë, por ata gjithmonë e ndiejnë Kosovën si vendin e tyre dhe janë krenarë që veshin fanellën e kombëtares. Këta djem të artë unë i quaj gladiatorë Dardan”, tha ai.

Ademi foli edhe për emocionet që sjell futbolli dhe për ndjenjat që përjeton pas çdo ndeshjeje të kombëtares.

“Realisht janë emocione të papërshkrueshme. Pas çdo ndeshje të fituar e ndiej veten mbret. Në çdo ndeshje të humbur e ndiej veten fajtorin kryesor. Sepse ata s’kanë faj sepse e japin 100%-in. Më duket që unë e kam atë barrë dhe më duket që unë e kam hakun”, u shpreh kreu i FFK-së.

Ademi tha se ndonëse ka edhe bizneset e tij private, pjesën më të madhe të kohës ia kushton futbollit, i cili tashmë iu ka bërë edhe varësi.

“Unë kam edhe kompaninë time dhe bizneset e mia, por vetëm rreth 20 për qind të kohës i kushtoj atyre. Rreth 80 për qind të kohës dhe energjisë sime shkon për Federatën e Futbollit”, u shpreh Ademi.

Sipas tij, përkushtimi i madh vjen nga fakti se futbolli është pasion që nga rinia.

“Kam rreth 50 vjet që merrem me futboll, si futbollist, si drejtues klubi dhe më pas në federatë. Nuk e kam vetëm këtë profesion, nuk jetoj prej futbollit. Por e kam pasion tashmë. E kam varësi. Pse e kam varësi? Sepse e kam marrë si mision. E kur e marr një mision, e marr me 100% dhe dua me shku deri në fund. Jam tip që asnjëherë nuk dorëzoha para asnjë sfide. Eci deri në fund dhe kërkoj derën, daljen deri në fund, deri në gjetje”, tha Ademi.

Një nga objektivat më të mëdha të federatës mbetet kualifikimi i Kosovës në Kupën e Botës, e për çka ai shpreson se kjo ëndërr mund të arrihet gjatë këtij muaji kur Kosova luan kundër Sllovakisë në gjysmëfinale të “play-off”-it e më pas nëse fiton në finale në “Fadil Vokrri” kundër Turqisë ose Rumanisë.

“I kemi vetëm edhe dy ndeshje dhe lus Zotin që këto dy ndeshje t’i kalojmë qysh është më së miri. Inshalla e kemi fatin e mirë dhe realisht të jemi në Kupën e Botës kjo do të ishte diçka që nuk e ka arritur asnjë federatë deri më tash për kohë kaq të shkurtë të jetë pjesë e Botërorit. Kjo do të ishte një arritje historike për një shtet kaq të ri në futbollin ndërkombëtar”, tha Ademi.

Ai shtoi se ngritja e flamurit të Kosovës në një turne të tillë do të ishte një moment krenarie për të gjithë vendin.

“Menjëherë pas Bajramit ne do të jemi bashkë, ku do të grumbullohemi për ndeshjen e 26 marsit në Sllovaki, ku e lus Zotin dhe shpresoj që do të kthehemi me fitore dhe ta gëzojmë krejt këtë popull. Nuk gjej masë me çka mund të shpaguhet kjo dhe nuk gjej shpërblim që t’ju japë atyre futbollistëve nëse na e çojmë Kosovën në Amerikë, ku jemi edhe në një grup me Shtetet e Bashkuara. Aty të dëgjohet himni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe himni i Kosovës për mua është edhe një lloj shpërblimi ose mirënjohje edhe ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe aleatëve të tjerë të cilët na kanë ndihmuar neve si shtet”, tha Ademi.

Add a comment Add a comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

19 − eleven =

Previous Post

Gjykimi në Hagë drejt fundit, Specialja thotë se e respekton Kushtetutën e Kosovës për të drejtat e të akuzuarve

Next Post

Agim Ademi: Humanizmi është paqe me vetveten – ndihma ndaj njerëzve në nevojë është pjesë e jetës sime

Advertisement