Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur sot në një takim njohës Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.
Gjatë takimit u diskutua për prioritetet dhe fushat me interes të përbashkët, me theks të veçantë në vazhdimin e bashkëpunimit dhe komunikimit të rregullt ndërmjet institucioneve, raporton lajmi.net
Ademi riafirmoi gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve, duke e vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme gjermane ndaj zhvillimit të futbollit në Kosovë.
Kreu i FFK-së e njoftoi ambasadorin Rudolph me projektet aktuale të Federatës, objektivat strategjike dhe mundësitë konkrete të bashkëpunimit në të ardhmen, me bindjen se partneriteti ndërmjet palëve do të forcohet edhe më tej në shërbim të zhvillimit të përbashkët.
Në këtë kontekst, Ademi kujtoi edhe bashkëpunimin e deritanishëm me ish-ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde, i njohur si mik i madh i futbollit të Kosovës.
Në përfundim të takimit, kryetari i FFK-së i uroi ambasadorit Rudolph suksese në misionin e tij diplomatik në Kosovë, duke riafirmuar gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe konstruktiv.




