Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, po vazhdon me deklaratën përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë.
Dixon përgjatë deklaratës së tij përmbyllëse, i kërkoi gjykatës që të jetë e kujdesshme në shqyrtimin e dokumenteve të ofruara nga Serbia, të dorëzuara si prova nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Dixon deklaron se Serbia ushtroi sistem të apartheidit në Kosovë dhe se përmes ofrimit të këtyre dokumenteve, po tenton t’i pasqyrojë anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si “rrugaçë dhe të paditur” në sytë e ndërkombëtarëve.
“Është mirë që të shikohet konteksti më i gjërë i zhvillimeve. Ju nuk mund të injoroni atë çfarë ka bërë Serbia, sikurse Serbia të ishte thjesht dele që të kalonin gjatë natës. Ky është rast klasik i dy standardeve i ZPS-së. Dëshmitë tregojnë se sistemi i apartheidit është ushtruar nga Serbia në këtë kohë. Ndërkohë që autorët e veprave kërkuan pajtim në Afrikën e Veriut dhe kërkuan ndjesë për atë çfarë kishin bërë, në Kosovë arkitektët serbë dhe ekzekutuesit bënë të kundërtën; ata akuzuan personat që kanë vuajtur në atë sistem dhe kërkuan që këta që kishin vuajtur të gjykoheshin. Ata jo vetëm kaq, por edhe dhanë provat që kjo të bëhej. Për t’ju thënë ndërkombëtarëve se këta të UÇK-së janë rrugaçë, të paditur“, deklaroi avokati i Veselit.
“Gjykata duhet të shikojë me kujdes dëshmitë e dhëna nga shteti serb, duhet të shikohen motivimet më të thella dhe origjina e dokumenteve apo dëshmive të caktuara. Dhe, duhet kushtuar rëndësi e veçantë dokumentet që janë dhënë nga këto autoritetet. Duhet trajtuar edhe autenticiteti, zinxhiri i ruajtjes e të tjera. Ky është një element i rëndësishëm që duhet të merret parasysh. Është shumë e rëndësishme, sipas Dhomës së Apelit, që të shikohen me shumë imtësi përgjimet dhe dokumentet tjera nga autoritetet serbe. Ne parashtrojmë që këto dokumente nuk janë autentike, thjesht janë një pirg dokumentesh që kanë ardhur nga Beogradi dhe asgjë më tepër se kaq“, tha ndër të tjera ai.
Dixon po vazhdon deklaratën e tij përmbyllëse, teksa pritet që edhe mbrojtja e Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit të japin fjalën përfundimtare në Hagë.




