Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka njoftuar se është takuar në Bruksel me presidentin e UEFA-s, Aleksandër Çeferin, në prag të Kongresit të 50-të të UEFA-s dhe tërheqjes së shortit për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
Ademi bëri të ditur se gjatë takimit ka pranuar urime nga Çeferin për mandatin e ri dhe për sukseset në drejtimin e futbollit kosovar.
“Kënaqësi e veçantë të ritakohesha në Bruksel me presidentin e UEFA-s, Aleksandër Çeferin, në prag të Kongresit të 50-të të UEFA-s dhe tërheqjes së shortit për edicionin e ri të Ligës së Kombeve”, ka shkruar Ademi.
Ai theksoi se presidenti i UEFA-s e ka uruar për vazhdimin e mandatit dhe për suksese të reja në krye të FFK-së.
“Në një përshëndetje miqësore, pranova urimet e tij të përzemërta për mandatin e ri dhe për suksese të reja në drejtimin e futbollit të Kosovës”, u shpreh Ademi.
Tutje, kryetari i FFK-së ka falënderuar Çeferinin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj futbollit të Kosovës.
“E falënderova presidentin Çeferin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj FFK-së dhe ndaj meje si dhe vullnetin për të bashkëpunuar ngushtë në projektet e radhës”, ka shtuar ai.