Procesi i zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit ka kaluar tashmë në duart e institucioneve të drejtësisë, para se të marrë vulën përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se ky institucion është në pritje të përfundimit të të gjitha procedurave ankimore për të proceduar me certifikimin e rezultateve që u shpallën më 31 janar.
Sipas Elezit, aktualisht po pritet që vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe ato të Gjykatës Supreme të bëhen të plotfuqishme.
“Aktualisht, procesi zgjedhor ndodhet në fazën e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 31 janar 2026. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimet e PZAP-it në Gjykatën Supreme, ndërsa afati për paraqitjen e ankesave ka përfunduar një ditë më herët. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë derisa vendimet të bëhen të plotfuqishme dhe më pas do të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”, tha ai.
Si rrjedhojë, vetëm pasi të gjitha këto ankesa të marrin një epilog final nga organet e drejtësisë, KQZ do të mund të certifikojë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.
Ky certifikim do t’i hapë rrugë zyrtare konstituimit të legjislaturës së re dhe fillimit të afateve për formimin e qeverisë. Ndonëse afati për dorëzimin e ankesave ka përfunduar një ditë më parë, koha e saktë e certifikimit varet tashmë nga shpejtësia me të cilën Gjykata Supreme do të shqyrtojë dhe do të kthejë përgjigjet e fundit drejt KQZ-së.