Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Dejn të Rahovecit, ku një 34-vjeçar ka humbur jetën në rrethana tragjike, teksa ishte duke punuar në oborrin e shtëpisë së tij.
Burime të sigurta bëjnë të ditur se dje, më 1 shkurt 2026, rreth orës 15:30, familjarët kanë dërguar pa shenja jete në Emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë viktimën Nevruz Krasniqi, rreth 35 vjeç.
Sipas informatave fillestare, viktima ishte duke prerë një lis të gjatë në oborrin e shtëpisë së tij, kur gjatë punës ka pësuar lëndime të rënda trupore. Familjarët e tij, e kanë transportuar menjëherë drejt spitalit, mirëpo mjeku kujdestar ka konstatuar se i njëjti kishte mbërritur pa shenja jete.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante të Policisë së Kosovës, përfshirë hetuesinë dhe forenzikën nga Stacioni Policor në Rahovec, si dhe hetimet rajonale në Gjakovë.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Hetim i vdekjes”.
Rreth orës 18:20, në Spitalin Rajonal të Gjakovës kanë mbërritur zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë marrë trupin e pajetë të viktimës dhe e kanë dërguar në IML në Prishtinë për obduksion, me qëllim të përcaktimit të saktë të shkakut të vdekjes.
Hetimet lidhur me këtë rast tragjik janë në vazhdim.

